Analiza

HYRJE

Analiza e Planit të Masave të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025 është realizuar në kuadër të projektit “Me Sytë nga Drejtësia”, financuar nga programi MATRA i Ambasadës Hollandeze në Shqipëri dhe zbatuar nga Instituti për Studime Publike e Ligjore (ISPL). Projekti përfshin periudhën 2020-2022, periudhë gjatë së cilës u hartua Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë 2021-2025 (SND II) dhe fillon zbatimi i saj pesë-vjeçar.

SND II është vazhdim i SND I dhe zhvillohet e i përgjigjet nevojave të reformës në drejtësi, e konsideruar tashmë nga të gjithë aktorët kombëtarë e ndërkombëtarë si reforma më e rëndësishme aktualisht në Shqipëri. Ecuria dhe rezultatet e kësaj reforme kushtëzojnë në një masë të konsiderueshme procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. E udhëhequr dhe koordinuar nga Ministria e Drejtësisë dhe e mbështetur nga programi Euralius i BE-së, Strategjia Ndër-sektoriale e Drejtësisë 2021-2025, është fryt i një bashkëpunimi mes gjithë institucioneve aktuale të sistemit të drejtësisë, si dhe i një procesi konsultimi me aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë e anatarë të shoqërisë civile shqiptare. Ky dokument strategjik bëhet i zbatueshëm në mënyrë më konkrete përmes një Plani Veprimi të integruar dhe një baterie indikatorësh që do të mundësojnë monitorimin e vlerësimin e zbatimit të tij.

Në këtë kontekst, Instituti për Studime Publike e Ligjore ( këtu e më poshtë “ISPL”), si një nga aktorët e interesuar të shoqërisë civile, është angazhuar, në kuadër të projektit “Me Sytë nga Drejtësia”, të mbështesë dhe të ndihmojë në zbatimin sa më efikas të Strategjisë Ndërsektoriale e Drejtësisë 2021-2025, pikësëpari duke iu ofruar institucioneve të drejtësisë dhe aktorëve të tjerë të angazhuar në këtë reformë: një analizë kritike konstruktive për vetë dokumentin strategjik dhe atë operacional (Plani i Veprimit dhe indikatorët e tij); një bazë metodologjike për një monitorim sa më objektiv e efikas të një numri domethënës të masave kryesore tëPlanit tëVeprimit; dhe, mbi këtë bazë, një proçes monitorimi një-vjecar të pavarur e objektiv të zbatimit të Planit të Veprimit. Në lidhje me këtë të fundit, metodologjia e përzgjedhur në këtë projekt nuk paragjykon metodologjinë që do të ndjekë qeveria për monitorimin e masave e rezultateve të Planit të Veprimit, por ofron një alternativë që e përforcon dhe ndoshta e plotëson atë. Zbatimi i projektit mbështetet në një bashkëpunim efikas me aktorët institucionalë të SND II.

Si një hap i parë në zbatimin e tij, grupi i ekspertëve të projektit ka përgatitur një analizë të detajuar të dokumentit strategjik 2021-2025, planit të tij të veprimit si dhe të indikatorëve të realizimit të tij. Analiza synon: të qartësojë për një publik sa më të gjerë kuptimin e qëllimeve, objektivave, rezultateve e masave të SND II; të verë në dukje pikat e forta por edhe elementët e paplotë ose të papërshtatshëm në raport me nevojat e sistemit të drejtësisë; dhe, të sugjerojë përmirësime të mundshme për vendimmarrësit. Gjithashtu, kjo analizë do të shërbejë si bazë për hartimin e një metodologjie monitorimi dhe bashkëpunimin sa më efikas me institucionet e drejtësisë që janë në fokus të këtij projekti.

Analiza eshtjelluar më poshtëështë strukturuar sipas dokumentit strategjik SND II dhe planit të tij të veprimit, dhe ndjek renditjen e tij, duke përzgjedhur katër (4) qëllimet e politikës, nëntë(9) objektiva specifikë, nëntëmbëshjetë (19) rezultate, dyzet e një (41) masa dhe tetëmbëdhjetë(18) indikatorë. Përzgjedhja e bërë nga lista tërësore e SND II bazohet në interesin e vecantë që paraqesin këto objektiva, rezultate, masa e indikatorë për qëllime të monitorimit nga shoqëria civile të progresit të bërë nga institucionet e drejtësisënë zbatimin e Strategjisë 2021-2025.