Masa 1.2.3
“Finalizimi i rishikimit të kuadrit ligjor lidhur me qeverisjen e drejtësisë bazuar në komponentin e lidhur me KLGJ, konsultimi dhe miratimi i akteve”.
Kjo masë parashikon rishikimin, pas një proçesi analize lidhur me statusin dhe strukturën qeverisëse të KLGj[1], e kuadrit ligjor lidhur me funksionet dhe përgjegjësitë që ka KLGj në përmbushje të misionit të saj për të mirëqeverisur sistemin gjyqësor në Shqipëri. Gjithashtu kjo masë parashikon edhe konsultimin dhe miratimin e akteve të reja që do të vijnë si rrjedhojë e këtij procesi. Pra, kjo masë parashikon tre veprimtari të njëpasnjëshme: e para, finalizimin e rishikimit të kuadrit ligjor, që do të thotë sigurimin e një vendimmarrjeje të brendshme lidhur me analizën dhe rezultatet/propozimet e dala prej saj, të cilat do të duhet të kenë parashikuar ndryshimet konkrete në ligj dhe rregullore; e dyta, realizimin e një proçesi konsultimi me aktorë të përfshirë në proces që plani i veprimit i SND II nuk i detajon; dhe e treta, miratimi i ndryshimeve të akteve apo i akteve të reja.
Veçanërisht për dy veprimtaritë e fundit të parashikuara në këtë masë, konsultimin dhe miratimin e akteve, duke qenë se në rezultatin dhe objektivin nga buron kjo masë parashikohet edhe ndryshimi i ligjit që prek KLGj-në, masa duhet të kishte parashikuar së paku Ministrinë e Drejtësisë, por edhe Kuvendin gjithashtu. Vetë ligji 115/2016, në nenet 71 dhe 93 të tij, parashikon dy raste bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të LartëGjyqësor. Konkretisht, ligji parashikon se Ministri i Drejtësisë koordinon zhvillimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe të strategjisë sektoriale të sektorit të drejtësisë dhe është përgjegjës për përgatitjen e projektakteve ligjore në fushën e drejtësisë, për të cilat merr edhe mendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjithashtu, ligji parashikon se Këshilli i Lartë Gjyqësor bashkëpunon me Ministrin e Drejtësisë për të siguruar përputhjen e planeve strategjike dhe buxhetore të sistemit gjyqësor, të miratuara nga Këshilli, me politikat shtetërore dhe strategjinë sektoriale të sektorit të drejtësisë. Konkretisht, KLGj: a) shqyrton funksionimin e rregullave të procedurës gjyqësore civile, penale ose administrative; b) bën rekomandime për ndryshimin e rregullave të procedurës gjyqësore civile, penale ose administrative; c) jep përgjigje për kërkesat e ardhura nga ministrat për të dhënë mendim mbi një projektligj ose ndonjë çështje tjetër që mund të ndikojë mbi sistemin gjyqësor ose gjykatat; dhe ç) mund të japë mendim mbi një projektligj ose ndonjë çështje tjetër që mund të ndikojë mbi sistemin gjyqësor ose gjykatat, duke ia drejtuar një ministri ose ndonjë organi tjetër. Si përfundim, KLGj i propozon Ministrit të Drejtësisë ushtrimin e nismës për ndryshime ligjore në lidhje me çdo çështje që është nën përgjegjësinë e tij.
Vlen të theksohet se edhe sipas instrumentit IPA III (2021-2027), për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku parashikohen detyrimet e shtetit shqiptar të lidhura me financimin që bëhet nga fondet e BE, për KLGj dhe KLP parashikohet se ato do të duhet të forcojnë kapacitetet për rregullat që ato krijojnë dhe zbatojnë për zhvillimin e karrierës, ndërsa për cështje të analizës dhe ndryshimeve të legjislacionit parashikohet forcimi i kapaciteteve të Ministrisë së Drejtësisë.
Për këtë masë nuk parashikohet indikator, por monitorim me anë të raportimit nga institucioni përgjegjës.
Konkluzion: Kjo masë e përmbush rezultatin, është në linjë të objektivit specifik të vendosur, por ka nevojë për plotësimin e institucioneve, të cilat do të duhet të marrin pjesë në këtë masë. Që masa të mund të realizohet nuk mjafton vetëm puna e KLGj-së, e cila është përgjegjëse vetëm për fazat e para, ato të studimit, analizimit dhe propozimit/këshillimit, por duhet të zgjidhen detyrat konkrete tëinstitucioneve të tjera të përfshira. Nëse masa është realizuar apo jo, kjo do të duhet të kërkohet nga disa institucione njëherësh (MD dhe Kuvendi).
[1]Plani i veprimit të SND II, masa 1.2.1 dhe 1.2.2;