Masa 1.2.9

Masa 1.2.9

“Përgatitja e analizës së zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë bazuar në komponentin e lidhur me ILD”.

Kjo masë ka të njëjtin formulim si masat 1.2.5, 1.2.6, 1.2.7të parashikuara për KLGj dhe KLP. Duket që hartuesi i Strategjisë  i ka kushtuar rëndësi ruajtjes së të njëjtave standarde për të tre institucionet e drejtësisë.

Kjo masë (pra 1.2.9) dhe ajo në vijim (1.2.10) duket sikur janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Në thelb, synohet të përgatiten dy lloj analizash. Fillimisht do të përgatitet analiza e zbatimit të reformës në sistem për ILD-në, dhe,pastaj, gjetjet/rekomandimet e kësaj analize do të pasqyrohen eventualisht në analizën për rishikimin e ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e ILD-së (masa 1.2.10).

Mbetet e paqartëse cili institucion do t’a bëjë këtë analizë, vetë ILD apo një strukturë tjetër e barazlarguar që do të analizojë edhe punën e institucioneve të tjera të drejtësisë, krahas ILD-së. E themi këtë, pasi puna e ILD-së edhe pse mund të analizohet në mënyrë të veçuar, ajo duhet parë edhe në këndvështrimin e vendimmarrjeve të KLGJ-së dhe KLP-së. Këshillat janë institucionet vendimmarrëse mbi propozimin dhe hetimin e kryer nga ILD. Tërësia e aktiviteteve të të tre institucioneve mund të japë një tabllo të qartë mbi zbatimin e reformës për ILD-në për sa i takon llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit.

Konkluzion: Nisur nga sa më sipër në lidhje me rezultatin e synuar (përditësimi i legjislacionit që nënkupton rishikim të ligjeve ose akteve nënligjore), vlerësohet që këto masa janë në vetvete të përshtatshme për sa kohë do të merren në funksion të këtij Rezultati dhe Objektivi Strategjik. Gjithsesi mbetet për t’u vlerësuar ‘momenti’ kur do tëkryhet ky përditësim, duke pasur parasysh jetëgjatësinë e shkurtër të ILD-së dhe, për rrjedhojë, edhe të zbatimit të kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni.