Masa 1.3.1
“Përfundimi i procedurave të emërimit, promovimit, transferimit të magjistratëve të diplomuar nga SHM”
Kjo masë është e vlefshme për të dyja rezultatet 1.3.1 dhe 1.3.2, nisur nga fakti se gjyqtarët dhe prokurorët emërohen, promovohen, transferohen respektivisht nga KLGJ dhe KLP pas diplomimit të tyre nga SHM. Kjo masë nga mënyra sesi është hartuar ngjan më tepër me një rezultat sesa një masë në vetvete, e për këtë duhet të riformulohet. Së pari, procesi i emërimit, promovimit apo transferimit të magjistratëve është një proces i vazhdueshëm dhe i përvitshëm dhe duhet të rishkruhet për të shmangur natyrën e saj si një proces i vetëm (që vjen prej përdorimit të fjalës “përfundimi”). Së dyti, kryerja e procedurave të emërimit, promovimit, transferimit të magjistratëve të diplomuar nga SHM, përbën një detyrë funksionale bazë të këtyre institucioneve dhe jo detyrimisht çon në arritjen e rezultatit për kryerjen e kësaj detyre (emërimit, promovimit, transferimit të magjistratëve të diplomuar nga SHM) sipas standardeve. Së treti, rezultati 1.3.1 dhe 1.3.2 fokusohet ndër të tjera edhe tek kapacitetet dhe burimet e institucioneve të KLGJ dhe KLP dhe kjo masë e vetme nuk përmbush Rezultatet e mësipërme në tërësinë e tyre. Për këtë arsye, duhet të shoqërohet me masa që çojnë në rritjen e burimeve dhe kapacitetet në të gjithë elementët apo komponentët që përmendin Rezultatet 1.3.1 dhe 1.3.2 dhe Objektivi 1.3. Aktualisht masa të tilla konkrete nuk ka në Planin Strategjik të KLP, ndërkohë që Plani strategjik i KLGJ është në fazën e hartimit.
Një masë e cila mund të ndikonte në emërimin, promovimin dhe transferimin e magjistratëve sipas rregullave dhe standardeve të kërkuara dhe të miratuara mund të jetë: Rritja e transparencës së vendimmarrjes në procesin e emërimeve, transferimit dhe promovimeve të tyre. Një masë e tillë është e parashikuar aktualisht në Plan Veprimin e SND I për vitin 2018-2021.
Gjithashtu, pavarësisht se rezultatet fokusohen vetëm tek kapacitetet e KLGJ dhe KLP, situata aktuale në të cilën gjendet sistemi gjyqësor dhe i prokurorisë, si pasojë e uljes së numrit të përgjithshëm të magjistratëve, si dhe për shkak të mosmiratimit ende të hartës gjyqësore, mund të rezultojë në mosarritjen e rezultateve të mësipërme vetëm me këtë masë. Gjithashtu, duhet mbajtur parasysh se këtë vit (2021) nuk do të ketë emërime fillestare nga KLGJ dhe KLP për shkak të mospasjes së pranimeve për këtë qëllim në vitin 2018-2019. Përjashtim bëjnë këshilltarët ligjorë, të cilët e kanë kryer kursin 1 vjeçar.
Konkluzion: Duhet parë mundësia e riformulimit të kësaj mase për t’a përshtatur me Rezultatet 1.3.1 dhe 1.3.2, konkretisht, me kryerjen e aktiviteteve të KLGj-së dhe KLP-së për emërimin, promovimin dhe transferimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe/ose të këshilltarëve ligjorë sipas rregullave dhe standardeve të kërkuara dhe të miratuara . Gjithashtu, kjo masë duhet të shoqërohet me masa shtesë që synojnë konsolidimin e institucioneve si në drejtim të kapaciteteve ashtu edhe burimeve dhe transparencës. Lidhur me këtë të fundit sugjerojmë të përfshihet si masë“Bërja transparente e procesit tëvendimmarrjes lidhur me emërimet, transferimet dhe promovimet e magjistratëve