Masa 2.1.2

Masa 2.1.2

“Përgatitja, diskutimi dhe miratimi i paketës së ndryshimeve të nevojshme të KPrC”.

Kjo masë parashikon hapat që duhet të ndiqen nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Kodin e Procedurës Civile me synim për të lehtësuar, ndihmuar dhe nxitur bërjen efektive të disa parimeve që kërkohen nga ky kod, por edhe nga sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe që lidhen me transparencën, aksesin në gjykatë dhe eficencën gjyqësore.

Kjo masëështë e domosdoshme për t’u realizuar në përmbushje të Rezultatit 2.1 pasi ligji është kufizimi i parë i funksionimit në praktikë të këtyre parimeve. Kështu, dispozitat që lidhen me njoftimet, afatet e ngritjes së kërkesave, afatet e ankimeve, kushtet e depozitimit të padive, vendimet e ndërmjetme gjatë procesit gjyqësor, rastet e konflikteve të kompetencave, mjetet që disponon gjykata ndaj disponimeve abuzive të palëve, parashikimet lidhur me tarifat gjyqësore, marrëdhëniet me palët e treta në proces, si mbrojtësit, etj., ndikojnë drejtpërdrejtë në bërjen efektive të gjykatave, rritjen e aksesit në to dhe veprimit të tyre në kushtet e një transparence të plotë ndaj përdoruesit të gjykatës.

Për realizimin e kësaj mase është parashikuar se do të përmbyllet veprimi brenda vitit 2023 dhe, më pas, brenda vitit 2025, do të analizohet sesa efektive ishin ndërhyrjet. Do të ishte më realiste që për realizimin e kësaj mase të parashikohej fundi i vitit 2025 pasi duhen marrë në analizë efektet që do të prodhojnë ndryshimet e fundit të KPrC që hyn në fuqi në maj të vitit 2021, të cilat u realizuan duke pasur si synim rritjen e efektivitetit të gjykatave të të gjitha niveleve, por nga ana tjetër, prekën edhe parimin e kontradiktorialitetit përpara gjykatës, duke lejuar më shumë raste se kur gjykata e realizon procesin në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve. Kalimi i një kohe të arsyeshme, të paktën dy vjecare nga momenti i hyrjes në fuqi të tyre, është e nevojshme për të nisur analizën mbi këto ndryshime, ndërsa analiza e propozimeve të e reja mund të jenë gati në mbyllje të vitit 2025.

Konkluzion:Kjo masëështë e domosdoshme për t’u realizuar në përmbushje të Rezultatit, por afati i vendosur për realizimin e masës duhet të ishte më i gjatë. Kjo lidhet me ndryshimet e KPrC që hynë në fuqi në maj të vitit 2021.  Pamjaftueshmëria e kohës për të analizuar ndikimin e ligjit të ri, e më tej arritja e konkluzioneve, rrezikon që t’a shndërrojë këtë masë në jo-realiste dhe jo-efektive.