Rezultati 2.4.1

Rezultati 2.4.1

Përshpejtimi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë, përfshirë përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore dhe plotësimin me personel sa më shpejt që është e mundur, duke ruajtur fokusin në cilësinë e shërbimit. Kjo fushë përfshin sigurimin e funksionimit optimal të Gjykatës së Lartë dhe GJKKO.”

Një rezultat i pritshëm në përmbushje të Objektivit 2.4 është një sistem gjyqësor efektiv dhe eficient, i cili performon sipas standardeve më të larta të cilësisë. Dhe në këtë linjë, në përputhje me nevojat aktuale të sistemit, i cili performon me një numër të kufizuar gjyqtarësh, një rezultat i pritshëm, parakusht i eficiencës, është funksionimi optimal i gjyqësorit, në të gjitha shkallët e tij. Kjo, duke filluar me gjykatat që nuk kanë qenë funksionale dhe janë aktualisht të paplotësuara me staf (Gjykata e Lartë dhe GJKKO) e deri tek gjykatat e dy shkallëve të para të cilat ditë pas dite, si rezultat i avancimit të procesit të Vetting-ut, po shtojnë vakancat.

Prandaj, në këtë aspekt, me qëllim arritjen e efikasitetit dhe eficencës së synuar të Objektivit 2.4, rezultat i masave që duhet të ndërmerren duhet të jenë gjykata funksionale me personel gjyqësor dhe administrativ, të nevojshëm, i cili duhet të reflektojë standardet europiane për raportet e personelit me numrin e popullsisë, si dhe të operojë sipas standardeve më të mira të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Ky rezultat është në vijimësi të rezultateve të pritshme nga masat e parashikuara në kuadër të Planit Strategjik të KLGJ-së për vitet 2019-2020. Në këtë aspekt, masat për arritjen e tij, të parashikuara në SND II, duhet të reflektojnë dhe të jenë të koordinuara me masat që KLGJ do të parashikojë për arritjen e eficiencës në gjyqësor në Planin Strategjik për vitet në vijim, i cili është duke u hartuar.

Sa i takon formulimit, Rezultati 2.4.1 duhet të rishikohet në tërësinë e tij. Së pari, duke vendosur qartë rezultatin e pritshëm dhe duke shmangur formulime që përbëjnë masa që çojnë në arritjen e tij. Ndërkohë që “përshpejtimi i Reformës” përbën më tepër një objektiv sesa rezultat, dhe “përmirësimi i infrastrukturës apo plotësimi me personel”, janë masa të cilat si rezultat sjellin funksionimin optimal të sistemit gjyësor, si në lidhje me burimet njerëzore ashtu dhe me infrastrukturën. Gjithashtu, duke qenë se plotësimi me personel dhe menaxhimi i burimeve njerëzore janë procese të ndërthurura, sidomos në fazën kur prurjet nga Shkolla e Magjistraturës janë të limituara, mund të shihet mundësia që Rezultatet 2.4.1 dhe 2.4.2 të shkrihen me njëri-tjetrin. Sigurisht masat në arritjen e tyre do të reflektojnë secilin proces.

Së dyti, me qëllim që të jetë realist, Rezultati 2.4.1 duhet të plotësohet më tej me masa që lidhen me përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave, duke u ndërlidhur këtu edhe me masat për sistemet e teknologjisë së informacionit (të parashikuara në Objektivin 4.1), si dhe masa që sjellin plotësimin me personel.

Së treti, Rezultati duhet të saktësohet në mënyrë që të jetë më i matshëm dhe i monitorueshëm. Shpeshherë, gjatë zbatimit të SND I janë ndeshur paqartësi, të cilat janë reflektuar në mos-identifikim të institucionit përgjegjës për monitorimin. Për këtë arsye, rezultatet duhet të hartohen duke përdorur gjuhë të qartë dhe të thjeshtë, në mënyrë që të jenë sa më të matshme gjatë zbatimit dhe monitorimit të Strategjisë. Në këtë aspekt, një tregues për matjen e rezultatit të të pasurit gjykata funksionale me personel të mjaftueshëm, në gjendjen aktuale të sistemit (me një numër të konsiderueshëm çështjesh të mbartura), mund të jetë : “ numri mesatar i çështjeve për gjyqtar përgjatë një viti”,  apo “përqindja e numrit të rasteve të zgjidhura në raport me rastet e reja brenda një periudhe kohore”.      

 

Konkluzion: Rezultati i mësipërm duhet të rishikohet në tërësi. Ai duhet të riformulohet në përputhje me Objektivin 2.4, si dhe me natyrën e një rezultati (duke shmangur formulime që përkojnë me natyrën e masave apo objektivave). Gjithashtu duhet të plotësohet me indikatorë të cilët janë të matshëm dhe tëmonitorueshëm. Në këtë aspektsugjerojmë përfshirjen si indikator “numri mesatar i çështjeve për gjyqtar përgjatë një viti”, apo “përqindja e numrit të rasteve të zgjidhura në raport me rastet e reja brenda një periudhe kohore”.