Qëllimi i Politikës 3

Qëllimi i Politikës 3

Sistemi i drejtësisë penale po zhvillohet mbi parimet moderne të drejtësisë Evropiane, mbështet risocializimin, riintegrimin dhe rehabilitimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut brenda një qasje të integruar dhe me praktika të forta për parandalimin e krimit”.

Politika 3 vendos si synim të saj që sistemi i drejtësisë penale të orientohet drejt parandalimit të krimit, dhe të kujdeset që të dënuarit, në përfundim të dënimit, ose gjatë kohëzgjatjes së tij, të kenë mundësi të risocializohen, riintegrohen në shoqëri dhe të kenëmundësi reale rehabilitimi. Këto janë parimet moderne të drejtësisë evropiane dhe synojnë që sistemi i drejtësisë penale, nëpërmjet institucioneve të drejtësisë penale, ato shtetërore dhe të gjyqësorit, të fokusohet drejt uljes së përgjithshme të nivelit të kriminalitetit në shoqëri dhe zbutjes së pasojave negative që vijnë nga një shoqëri me probleme të kriminalitetit në të gjitha grupmoshat dhe shtresat e shoqërisë.

Arritja e qëllimeve të vendosura në këtë politikë nuk ndikon vetëm në cështjet e kriminalitetit dhe politikave penale, por shënon edhe një hap drejt emancipimit social të Shqipërisë dhe pranimit të diferencave shoqërore e respektimit të të drejtave të njeriut.

Lidhur me politikat penale, SND I parashikonte dy fokuse kryesore, së pari, rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe masave anti-korrupsion nëpërmjet konsolidimit të misionit, statusit dhe funksioneve të institucioneve të drejtësisë penale (Politika 4) dhe rritjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimit (Politika 6). Këto dy drejtime ishin në koherencë të plotë edhe me vetë qëllimin e reformës në drejtësi, kyçi i së cilës ishte pikërisht ndëshkimi i kriminalitetit nëpërmjet një drejtësie të pavarur dhe forcimi i kapaciteteve shtetërore e të drejtësisë në këtë drejtim.

Formulimi që është bërë në SND II, duke mos parashikuar sërish nevojën për konsolidimin e institucioneve të hetimit dhe gjykimit të veprave penale, vecanërisht korrupsionit, nuk është i plotë, pasi nevoja për t’a konsideruar këtë komponent sërish si qëllim të reformës edhe për katërvjeçarin e dytë është shumë e rëndësishme dhe aktuale. Ky mendim përforcohet edhe nga vetë objektivat që ka vendosur SND II, ku një prej objektivave me më shumë masa është pikërisht Objektivi 3.2, i cili kërkon një sistem prokurorie efikas dhe proaktiv operacional sipas standardeve evropiane dhe hetim efikas, si dhe ndjekja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar, i cili do të trajtohet i plotë në vijim (ku është përfshirë Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe BKH).

Pra, për të pasur një vijimësi logjike dhe kronologjike, duke iu referuar edhe ngritjes së organeve të reja, hallka të të njëjtit mekanizëm (si p.sh. BKH), të cilat nuk ishin parashikuar në SND I, do të ishte e nevojshme që Politika 3 të përmbante të shprehur rëndësinë e funksionimit efikas dhe eficent të organeve të hetimit. Duke qenë se një ndër “investimet” më të mëdha në sektorin e prokurorisë ishte ngritja e SPAK dhe BKH, edhe për shkak të sensibilitetit të lartë publik që kanë cështjet që hetojnë këto organe, mirëqeverisja e prokurorisë dhe e hetimit në Shqipëri do të varet gjithashtu nga suksesi i këtyre organeve. Nuk mund të thuhet se në katër vitet e SND I u arrit të përmbyllej politika penale “ndëshkuese”, kur organet u krijuan me vonesë dhe filluan të japin rezultatet e para vetëm dy vitet e fundit[1]. Qasja më e përshtatshme kërkon një bashkëekzistencë të të dyja metodave, si ndëshkuese, edhe restauruese.

Politika 3 realizohet përmes pesë objektivave: 1. Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale janë përditësuar, duke synuar një qasje të integruar të zinxhirit të institucioneve të drejtësisë dhe një qasje restauruese të drejtësisë, duke zëvendësuar qasjen ndëshkuese ekzistuese; 2. Një sistem prokurorie efikas dhe proaktiv operacional sipas standardeve europiane, si dhe hetim efikas, ndjekje të korrupsionit dhe krimit të organizuar; 3. Përmirësimi i drejtësisë për të mitur, duke garantuar një drejtësi miqësore ndaj të miturve, e cila mbron interesin më të mirë të tyre; 4. Një shërbim prove efektiv dhe efikas që përdor standardet operacionale, metodologjitë e mbikëqyrjes dhe menaxhimin e individualizuar të çështjeve, por edhe mbështet ri-socializimin, ri-integrimin dhe rehabilitimin dhe punon në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të BE-së dhe është pranuar nga gjykatat dhe prokuroria si një alternativë e mirë ndaj burgimit; dhe 5. Zhvillimi i një sistemi efikas burgjesh bazuar në strategjinë për reformën e burgjeve në vazhdim, e cila siguron respekt të plotë për burimet njerëzore dhe përdor plane individuale për zhvillimin e çështjeve.

Të pesë objektivat së bashku e përmbushin Qëllimin e Politikës 3, por në këtë Studim është vendosur të analizohet Objektivi 3.2 për shkak të rëndësisë emergjente që ka ai dhe impaktit të lartë që do të sillte për sistemin e drejtësisë suksesi i hetimit të korrupsionit e krimit të organizuar. Gjithashtu, lufta kundër këtyre fenomeneve është një ndër kërkesat kryesore ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit evropian.

[1]Shënim i autorit: Më datë 19 Dhjetor 2019 janë emëruar 8 (tetë) prokurorë dhe ka filluar funksionimi i Prokurorisë së Posaçme. Gjatë vitit 2020 (në datat 31 Janar 2020, 21 Maj 2020 dhe 14 Korrik 2020) janë emëruar dhe pesë prokurorë të tjerë. Për dy prokurorë të tjerë, të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, deri në fund të vitit 2020 nuk kishte përfunduar akoma procedura e emërimit, sepse ata nuk kishin përfunduar akoma vetingun me vendim të formës së prerë. Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme ushtrojnë funksionet 14 (katërmbëdhjetë) prokurorë. Marrë nga www.spak.al.