Qëllimi i Politikës 4
“Koordinimi dhe menaxhimi efikas dhe efektiv i sektorit në të gjitha institucionet në sektorin e drejtësisë”.
Ky qëllim lidhet me koordinimin dhe menaxhimin efikas dhe efektiv të sistemit të drejtësisë. Koordinimi institucional ka qenë dhe mbetet një sfidë që duhet t’a adresojnë të gjitha institucionet e drejtësisë. Koordinimi është një proces i vazhdueshëm. Menaxhimi efikas dhe efektiv është gjithashtu një sfidë për sistemin, së cilës ende nuk i është dhënë vëmendja e duhur nga institucionet (KLGJ, KLP). Kjo pasi aktualisht institucionet e qeverisjes përballen me vakanca të shumta në sistem.
Pavarësisht se këto elemente kanë pasur mangësi në të kaluarën, tashmë organeve të sistemit të drejtësisë u kërkohet të koordinohen më mirë midis tyre, si dhe të administrojnë burimet e vëna në dispozicion në mënyrë efikase dhe efektive.
Një parashikim i ngjashëm ka ekzistuar edhe në SND 1. Konkretisht, nëObjektivin 7 parashikohej: ‘Përmirësimi i funksionimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të saj të varësisë krejtësisht të reja apo thelbësisht të ndryshuara’. Aktiviteti 7.06 i këtij Objektivi parashikonte: ‘Projektimi dhe zbatimi i sistemeve të menaxhimit, aktiviteteve operacionale dhe të kontrollit dhe funksionimi financiar i MD dhe institucioneve të tjera (KLGJ, KLP, Inspektoriati i ri, Këshilli i Emërimeve) për të mundësuar që ato të menaxhojnë procesin e reformës (lidhur me Objektivin 5)’. Ndërkohë, Aktiviteti 7.07 parashikonte: ‘Do të ofrohet mbështetje për të gjitha institucionet e reja dhe të ndryshuara me qëllim që të sigurohet zbatimi i sistemeve të reja të menaxhimit, aktiviteteve operacionale dhe të kontrollit dhe funksionimit financiar të MD (KLGJ, KLP, Inspektoriati i ri, Këshilli i Emërimeve) për të mundësuar që ato të menaxhojnë procesin e reformës’.
Për sa i takon SND I, referuar Raporteve të Monitorimit Periodik[1] të periudhave/viteve të ndryshme që janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, aktivitetet e pikës 7.06 dhe 7.07 kanë mbetur të parealizuara në kushtet kur ILD është krijuar në Shkurt 2020. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse është përfshirë në Dokumentin Strategjik për SND II.
Konkluzion: Koordinimi institucional është sfidë për të gjitha institucionet e drejtësisë. Me të drejtë, ai është gjykuar që të vendoset si Objektiv Strategjik me efekt për të gjitha institucionet.
[1]https://www.drejtesia.gov.al/plani-i-veprimit-te-strategjise-ndersektoriale-te-drejtesise/