Masa 4.1.3

Masa 4.1.3

“Përmirësimi i qendrës së përpunimit të të dhënave”.

Kjo masë për nga mënyra se si është formuluar duket disi e paqartë. Nuk kuptohet koncepti i qendrës së përpunimit të të dhënave, si dhe cfarë synon përmirësimi i saj.

Qendra e përpunimit të të dhënave nuk është parashikuar në ligjin nr.115/2016. Ky i fundit parashikon në nenin 92 të tij “Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për sistemin e drejtësisë”. Pika 2 e nenit 92 përmend edhe përmirësimin e të dhënave si një kompetencë e kësaj Qendre. Ndërkohëështë miratuar VKM nr.972, datë 02.12.2020 ‘Për organizimin, funksionimin e përcaktimin e kompetencave të qendrës së teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë’, me të cilën ështëngritur kjo Qendër, si dhe është miratuar vendimi ‘Për miratimin e rregullave për politikat e përgjithshme shtetërore për sistemin e teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë’.

Nëse kjo masë lidhet me detyrimet që burojnë nga neni 92 i Ligjit nr.115/2016 sugjerohet që të riformulohet dhe të saktësohet. Gjithashtu, zhvillimet sa më sipër të merren në kosideratë dhe të shërbejnë si pikë lidhëse për hartimin e masës.

Përpunimi i të dhënave është një nga mangësitë më të mëdha dhe problematike të sistemit të drejtësisë. Të dhënat që raportohen nga gjykatat dhe prokuroritë, në pjesën më të madhe, nxirren dhe përpunohen manualisht në regjistrat përkatës. Shumë pak të dhëna prodhohen elektronikisht, të cilat, për efekt të saktësisë së tyre, duhet që të verifikohen shpesh me të dhënat e nxjerra nga regjistrat manualë.

Konkluzion: Nisur nga mënyra se si është formuluar, kjo masë mbetet e paqartë sa kohë koncepti “Qendër e përpunimit të të dhënave” nuk parashikohet në Ligjin nr.115/2016 ‘Për qeverisjen e sistemit të drejtësisë’. Nuk kuptohet se ku do të ekzistojë qendra e përpunimit të të dhënave dhe cfarë të dhënash do të ruhen dhe përpunohen në këtë qendër. Vetëm të dhënat e gjykatave, apo/dhe prokurorive  apo të ILD-së? Sugjerohet sqarimi i kësaj mase në mënyrë që të jetë sa mëe matshme dhe e realizueshme.