Përmbledhje e Analizës së Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025
Dokumentat strategjikë janë të vështirë për tu lexuar, e megjithatë ato i drejtohen një publiku të gjerë, me synimin për të përcjellë te ai mesazhe të qarta sesi shteti ka vendosur ta drejtojë një politikë të caktuar. Në këtë mënyrë, njëherësh me vlerën informuese, formësohet një marrëdhënie e vazhdueshme, llogaridhënie e besimi, ndërmjet individit dhe shtetit.
Kjo që përshkruam me këtë paragraf të parë është ajo cfarë ne mendojmë se duhet të përbëjë qasjen edhe të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë ndaj shoqërisë. Për shkak të rolit të vecantë që kanë cështjet e së drejtës, cështje që lidhen jo thjesht me ligjin, por me frymën, qëllimin dhe avancimin e tij në shoqëri, ky studim paraqet një vlerë të vecantë pasi synon ta bëjë Strategjinë e Drejtësisë një instrument të qartë, të prekshëm, të matshëm, edhe nga aktorë të përfshirë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë në parashikimet e saj.
Kjo është arsyeja pse në analizë bëhet një lidhje kronologjike e logjike midis analizës së gjendjes së sitemit të drejtësisë, dokumenti i parë që bën që skaner të situatës në vend, Strategjisë së Parë Ndërsketoriale të Drejtësisë dhe Strategjisë aktuale, e cila përbën fazën e dytë të reformës në drejtësi, sipas hartuesve të saj.
Në këtë dokument analizues, grupi i ekspertëve ka nisur të analizojë së pari, qëllimet politike të SND II, të cilët janë grupuar në katër gjithsej, për të parë nëse, në kuadrin makro, ato qëndrojnë dhe janë aktuale apo jo. Një ndër cështjet më të debatueshme lidhet me qëllimin e Politikës 3, e cila parashikon se tanimë do ti kushtohet rëndësi risocializimit, riintegrimit, rehabilitimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, brenda një qasje të integruar dhe me praktika të forta për parandalimin e krimit. Sigurisht, është e vlerësueshme se arritja e qëllimeve të vendosura në këtë politikë nuk ndikon vetëm në cështjet e kriminalitetit dhe politikave penale, por shënon edhe një hap drejt emancipimit social të Shqipërisë dhe pranimit të diferencave shoqërore e respektimit të të drejtave të njeriut, megjithatë, duke mos parashikuar nevojën për konsolidimin e institucioneve të hetimit dhe gjykimit të veprave penale, vecanërisht korrupsionit, kjo politikë nuk është e plotë, pasi nevoja për t’a konsideruar këtë komponent sërish si qëllim të reformës edhe për katër vjeçarin e dytë është shumë e rëndësishme dhe aktuale. Pra, për të pasur një vijimësi logjike dhe kronologjike, duke iu referuar edhe ngritjes së organeve të reja, hallka të të njëjtit mekanizëm (si p.sh. BKH), të cilat nuk ishin parashikuar në SND I, do të ishte e nevojshme që, Politika 3 të përmbante të shprehur rëndësinë e funksionimit efikas dhe eficent të organeve të hetimit. Duke qenë se një ndër “investimet” më të mëdha në sektorin e prokurorisë ishte ngritja e SPAK dhe BKH, edhe për shkak të sensibilitetit të lartë publik që kanë cështjet që hetojnë këto organe, mirëqeverisja e prokurorisë dhe e hetimit në Shqipëri do të varet gjithashtu nga suksesi i këtyre organeve. Nuk mund të thuhet se në katër vitet e SND I u arrit të përmbyllej politika penale “ndëshkuese”, kur organet u krijuan me vonesë dhe filluan të japin rezultatet e para vetëm dy vitet e fundit. Qasja më e përshtatshme kërkon një bashkëekzistencë të të dyja metodave, si ndëshkuese, edhe restauruese.
Së dyti, janë analizuar objektivat dhe rezultatet e parashikuara që do të duhet të përmbushin këto qëllime strategjike. Sipas analizës, në shumë raste nuk është respektuar një rrjedhë e natyrshme e kalimit të reformës nga një fazë në tjetrën. Kështu, nuk mendohet se rishikimi i ligjeve duhet të ishte një objektiv strategjik aq dominues sa të kërkonte analizën e rishikimin e të gjitha ligjeve që u hartuan në kuadër të reformës në drejtësi. Kjo sepse ecuria strategjike e sektorit të drejtësisë mbështetet mbi një analizë të thellë të sistemit të mëparshëm dhe ligjet e reformës janë produkt i kësaj analize. Ky objektiv është i diskutueshëm nëse i shton vlera funksionimit të organeve të qeverisjes së drejtësisë apo vepron në të kundërt, duke prodhuar pasiguri institucionale dhe duke shkaktuar deri në moslejim të ushtrimit në mënyrë të pavarur, nga legjislativi dhe ekzekutivi, të funksioneve të tyre. Gjithashtu funksionimi i mekanizmit, në funksion të strategjisë së ideuar të sistemit të drejtësisë, nuk ka qenë tërësisht funksional përgjatë SND I dhe ende vijon të ketë paplotësi. Fokusi i fazës së dytë të reformës qëndron në zbatimin e reformës, në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit, dhe jo në ridizenjimin e saj. Edhe pse hartuesit e dokumentit strategjik mund të jenë nisur nga një qasje funksionale me synim përmirësimin e elementëve që shikohen si problematikë në ligj (duke mbajtur në konsideratë se një ligj apo rregullore, sado mirë të kenë parashikuar apo sado afër të jenë me arritjen e objektivave të tyre, mund të ketë elementë, të cilët do të duhet të analizohen ex post dhe të përmirësohen), vendosja e rishikimeve ligjore si një objektiv më vete, me masa konkrete të parashikuara për institucionet e qeverisjes nuk mendohet të jetë e përshtatshme për këtë dokument strategjik.
Së treti, janë marrë në analizë të gjitha ato masa që janë vlerësuar si më relevante në përmbushje të rezultateve të vendosura dhe konstatohet që nuk janë të shumta, madje në një pjesë të madhe të rasteve ato janë të paplota e të paqarta. Studimi ka hedhur dritë mbi to dhe ka parashikuar përmirësime të mundshme apo interpretime që i vijnë në ndihmë qartësimit të masës.
I njëjti vlerësim është bërë edhe për indikatorët, të cilët vlerësohen nga analiza si të pamjaftueshëm për të matur ecurinë e strategjisë. Kështu, pothuajse mungojnë indikatorë që të masin performancën e organeve të reja, mënyrën sesi vetë sistemi po funksionon dhe a është në shërbim të qytetarit dhe nëse cështjet e korrupsionit e llogaridhënies po marrin vlerësimin e duhur apo jo.
Si konkluzion mund të thuhet se kjo analizë: ka qartësuar mënyrën sesi duhen kuptuar qëllimet politike, objektivat, rezultatet dhe masat e parashikuara në SND II për publikun; ka qenë kritike ndaj pjesës përmbajtësore dhe mundësive reale të përmbushjes së objektivave/masave të vendosur; ka rekomanduar ndryshime dhe ka bërë propozime konkrete mbi mënyrën sesi duhet të ndryshohet parashikimi aktual në mënyrë që ti vij në ndihmë Ministrisë së Drejtësisë dhe në mënyrë indirekte shoqërisë civile, duke i ofruar një mekanizëm të përmirësuar vëzhgimi dhe analize të strategjisë përgjatë katër viteve që do të vijnë.