ISPL, nën kërkesën e AMA-s, mori përsipër angazhimin për realizimin e këtij Studimi me qëllim analizën krahasimore të standardit Europian mbi lirinë e medias online, si dhe prezantimin e gjetjeve dhe bërjen e rekomandimeve përkatëse. Interneti është bërë mjeti kryesor me anë të të cilit, individët ushtrojnë lirinë e shprehjes, për të marrë informacion të paanshëm, dhe për të siguruar kështu, një mjet thelbësor për pjesmarrje në aktivitete dhe diskutime lidhur me çështje politike apo çështje të tjera të interesit të përgjithshëm. Për më tepër, interneti luan rol të rëndësishëm në rritjen e aksesit të publikut për lajmet, si dhe për lehtësimin e qarkullimit të informacionit në përgjithsi. Përdoruesit e aktiviteteve të shprehura në internet sigurojnë një platformë të papreçedentë për ushtrimin e lirisë së shprehjes. Zhvillimet e shpejta, dinamike, dhe teknologjitë e përparuara, e kanë bërë median on - line, metodën më të shpejtë dhe informative. Kjo lloj dinamike është e mbarsur me shqetësime tepër serioze mbi kufijtë mes lirisë së shprehjes dhe ruajtjes së dinjitetit njerëzor, si dhe debate të gjera në trend global, ashtu si dhe lokal mbi kufijtë dhe balancat mes lirisë së medias, lirisë së shprehjes dhe të drejtës për ruajtjen e personalitetit, dinjitetit njerëzor dhe jetës private të individit, shqetësime që edhe në terrenin shqiptar po gjejnë një lloj adresimi në nivel ligjbërje, politikash, dhe mbrojtjeje gjyqësore, si garanti final i raporteve ballancuese të këtyre vlerave shoqërore dhe ligjore . Në fund të vitit të kaluar, (dhjetor 2018), u ndërmor një iniciativë për reformimin e mëtejshëm të ligjeve mbi mediat on-line dhe audiovizive. Këto projektligje, përkatësisht “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikojnë regjistrim, mbikqyrje, gjobitje dhe mbyllje të mediave on-line dhe/apo audiovizive, veprimtaria e të cilave bie në kundërshtim me parashikimet përkatëse ligjore. Në kushtet e konsultimit publik dhe një debati të lartë lidhur me këto iniciativa ligjore, ky Studim u bë i nevojshëm, me qëllim diagnostikimin e kuadrit ligjor Shqiptar nën optikën e standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes. Ky Studim u bazua kryesisht në desktop research, pas një analize të hollësishme krahasimore të legjislacionit dhe praktikës gjyqësore ndërkombëtare në fushën e medias, dhe lirisë së shprehjes. Hard and soft law janë pjesë e Studimit, dhe janë pasqyruar në të, si standarde detyruese, ose orientuese dhe rekomanduese, në çdo përpjekje të ardhshme për diskutim mbi ndryshime të mundshme ligjore. Ky Studim evidentoi se ligji nr.97/2013 është në përputhje me Direktivën DSHMAV, si dhe praktikën e shumicës së shteteve anëtare të BE-së, gjë që vjen si rezultat i transpozimit të Direktivës DSHMAV tek legjislacionet e vendeve anëtare ose në proces anëtarësimi me BE. Studimi tregoi se kërkesat për regjistrim dhe procedura të tjera të lidhura me publikimet elektronike, duhet të jenë të kujdeshme, (përveç atyre, që kërkohen për qëllime taksimi, apo biznesore), pasi çdo lloj detyrimi apo kërkese të lidhur me regjistrimin, mund të sjellë efekte të dëmshme për lirinë e medias. Studimi konkludoi se rregullimi i medias online përmes rregullimeve të medias audiovizive, nuk është një praktikë europiane. Po kështu, autoritetet mbikqyrëse të medias audiovizive, sipas legjislacioneve të disa vendeve nuk kanë kompetenca kontrolli ndaj medias online. Përmes këtij Studimi, rekomandohet që, nëse nevoja për të rregulluar median online është e tillë që ky rregullim duhet bërë, standardet e ligjvënësit Shqiptar duhet të orientohen nga interesi publik i garantimit të lirisë së medias sipas kërkesave kushtetuese, dhe nëse duhet bërë kufizime apo ndërhyrje në lirinë e medias, duke rregulluar funksionimin e medias online, ato duhet të bëhen me ligj, të jenë të justifikuara, dhe proporcionale me interesin publik që i justifikon, pra në respektim të ekuilibrit lidhur me të ashtuquajturat, "të drejta në konflikt". Për më tepër jo rregullimi, por vetrregullimi i medias online do të ishte më i rekomandueshëm, dhe janë vetë aktorët e prekur dhe të përfshirë në këtë proces, bartës të interesave publike, të cilët mund të eksplorojnë se si ky vetrregullim të bëhet me sa më pak kosto/rreziqe për lirinë e shprehjes dhe i pranueshëm si zgjidhje në masë të gjerë.
Shkarkoni Komentarin ne PDF