Objektivi specifik 2.3
“Rritja e efikasitetit dhe aftësisë profesionale të sistemit të trajnimit ligjor i cili siguron ecjen drejt praktikave Evropiane dhe cilësisë në fushën ligjore duke siguruar një numër të përshtatshëm të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë të trajnuar për gjyqësorin dhe prokurorinë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.
Objektivi Specifik 2.3 plotëson një nga kërkesat e Qëllimit të Politikës 2, atë të rritjes së aftësisë profesionale të gjyqësorit, duke përcaktuar edhe mënyrat se si do të realizohet kjo. Konkretisht, Objektivi Specifik kërkon, së pari, rritjen e efikasitetit të sistemit të trajnimit dhe, së dyti, rritjen e aftësisë profesionale të Shkollës së Magjistraturës në ofrimin e trajnimit për magjistratët. Synimi i objektivit është që magjistratët (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe këshilltarët ligjorë të trajnohen në mënyrë cilësore dhe të drejtohen drejt praktikave evropiane.
Objektivi duhet të kishte parashikuar në mënyrë të shprehur edhe trajnimin e nëpunësve civilë gjyqësorë për dy arsye: së pari, sepse nëpunësit civilë gjyqësorë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në performancën e gjykatës apo zyrës së prokurorisë, dhe së dyti, sepse është pikërisht reforma në drejtësi ajo që i dha një rëndësi të shtuar kategorisë së nëpunësve që punojnë në gjykata dhe prokurori, ku përveç statusit të ri si nëpunës civilë gjyqësorë, për një pjesë të nëpunësve u përcaktua një sistem i ri rekrutimi dhe trajnimi. I referohemi këtu kancelarëve të gjykatave dhe prokurorive, të cilët do t‘i nënshtrohen provimit në Shkollën e Magjistraturës për të hyrë në sistem dhe do të ndjekin Program Formimi Fillestar dhe Vazhdues (përgjatë detyrës) pranë Shkollës.
Ky objektiv është aktual dhe tejet i rëndësishëm për t‘u përmbushur pasi ka ndikim të jashtëzakonshëm në cilësinë e drejtësisë për vitet që do të vijnë. Këtu kemi parasysh se gjyqësori po ripërtërihet në pjesën më të madhe të tij për një kohë të shkurtër, për shkak të ikjes nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve si pasojë e vetingut dhe plotësimit të vendeve nga Shkolla e Magjistraturës. Njëkohësisht, hapat e shtetit shqiptar drejt BE premtojnë për një pozicion të ri, më të afërt të Shqipërisë me BE, gjë që imponon jo vetëm harmonizim të ligjit, por edhe kuptim dhe zbatim të përafruar të tij. Magjistrati shiptar do të duhet të nisë të mendojë si magjistrat evropian në mënyrë që të jetë në koherencë me të gjitha zhvillimet sociale dhe ekonomike të vendit.
Nëse shohim rezultatet që synohen të arrihen në SND II, ato janë në linjë me cfarë parashikon Objektivi. Konkretisht, rezultati i parë lidhet me përmirësimin e kurrikulave për magjistratët në detyrë, pra duke synuar që ato të bëhen më efikase dhe më cilësore, dhe, rezultati i dytë lidhet me studimin dhe kërkimin në legjislacionin e BE dhe në fushën e të drejtave të njeriut.
Edhe në SND I parashikoheshin një sërë masash lidhur me Shkollën e Magjistraturës dhe përgjithësisht të fokusuara në analizën e nevojës dhe rishikimin e kurrikulave, por edhe rritjen e studimit dhe kërkimit në Shkollë dhe forcimin e kapaciteteve të Shkollës. Pra, Strategjia e Drejtësisënuk ka ndryshuar shumë nga një fazë e parë e saj (SND I) tek tjetra (SND II), por kjo nuk duhet parë si mungesë zhvillimi, përkundrazi është pikërisht zhvillimi i qëndrueshëm i këtij komponenti ai që kërkon shtrirjen e tij më të gjatë në kohë. Këtu duhet të marrim në konsideratëse një pjesë e madhe e përgjegjësisë sa i takon sistemit të trajnimit, ligji 115/2016 ia ka ngarkuar bashkërisht organeve të qeverisjes (KLGj dhe KLP), Shkollës së Magjistraturës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Konkretisht, këto organe duhet të ndërveprojnë në procesin e hartimit të nevojave për trajnim dhe më tej duhet të miratojnë aktivitetet dhe pjesëmarrjen e gjyqtarëve e prokurorëve në këto aktivitete.
Njëkohësisht ky objektiv është në përputhje me Strategjinë e vetë Shkollës së Magjistraturës dhe me Strategjinë kundër korrupsionit, si dhe në koherencë me kërkesat e IPA III, e cila e shtrin zbatimin e saj deri në vitin 2027.
Konkluzion: Objektivi është në përputhje me Qëllimin e Politikës 2 dhe me strategjinë e Shkollës së Magjistraturës, si dhe është i harmonizuar me aktet e tjera strategjike që lidhen me cilësinë e drejtësisë. Ky është një objektiv aktual dhe suksesi në realizimin e tij do të ndikojë në drejtësinë e viteve që do të vijnë. Vlerësohet që nëse ky objektiv do të përmbante edhe nëpunësit civilë gjyqësorë, ai do të ishte më i plotë në drejtim të cilësisë dhe performancës së sistemit të drejtësisë.