Objektivi specifik 2.4
“Përmirësimi i sistemit gjyqësor me qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të të gjitha niveleve të sistemit gjyqësor, duke përfshirë GJL-në dhe sigurimi i ofrimit të drejtësisë transparente, pa vonesa dhe të aksesueshme për qytetarët. (Shënim: Aktivitetet që kanë të bëjnë me KLGJ si autoritet qeverisës në drejtësi janë integruar në këtë Objektiv Specifik për shkak të karakterit të integruar të sistemit gjyqësor. Rezultatet e pritshme të poshtëshënuara reflektojnë qëllimet strategjike të shkruara në planin strategjik të KLGJ).”
Për nga mënyra se si është formuluar, Objektivi Specifik 2.4 përfshin sistemin gjyqësor në tërësi (pra të tre shkallët e sistemit gjyqësor). Ai orientohet në dy drejtime: Së pari, në funksion të rritjes së“efektivitetit dhe efikasitetit të të gjitha niveleve të sistemit gjyqësor. Së dyti, në funksion të “ofrimit për qytetarët të drejtësisë transparente, pa vonesa dhe të aksesueshme”. Në këtë këndvështrim, ky objektiv është në përputhje me Qëllimin e Politikës 2.
Ky Objektiv është në përputhje me objektivat e Reformës në Drejtësi dhe kuadrin ligjor që rregullon qeverisjen dhe organizimin e funksionimin e pushtetit gjyqësor. Efektiviteti dhe efikasiteti janë objektiva të qëndrueshme në kohë, të cilat arrihen nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm. Në këtë aspekt, ky objektiv është aktual. Çelësi i suksesit të tij është identifikimi i saktë i masave të cilat i përshtaten gjendjes aktuale në të cilën ndodhet sistemi i gjyësorit.
Ky Objektiv është pjesërisht i njëjtë me atë të SND I ‘Objektivi 1: Forcimi i pavarësisë, efikasitetit, efektshmërisë dhe llogaridhënies së institucioneve të sistemit të drejtësisë’. Objektivi ka patur fokus më të gjerë, duke përfshirë tërë sistemin e drejtësisë. Kjo është një zgjidhje e diktuar nga rrethanat pasi në momentin e hartimit të SND I, organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë nuk ishin bërë ende funksionale. Pas krijimit të institucioneve, fokusi ka qenë miratimi i kuadrit nënligjor të akteve që rregullon veprimtarinë e vetë KLGJ. Më tej, Gjykata e Lartë nuk ka qenë funksionale, dhe një pjesë e sistemit gjyqësor (niveli i apelit) është prekur ndjeshëm nga procesi i rivlerësimit kalimtar. Prandaj Objektivi Specifik, Rezultatet dhe Masat e atëhereshme nuk arritën të realizohen gjatë vlefshmërisë së asaj Strategjie. Nisur nga kjo situatë, me të drejtë ato janë përshtatur për t’u integruar në SND II.
Objektivi është në koherencë me gjendjen aktuale të gjyqësorit dhe me pritshmëritë e publikut sa i takon rezultateve të aplikimit të Reformës në Drejtësi. Ai lidhet me nevojën e ngutshme të gjyqësorit (të gjitha nivelet e tij) për të qenë më efikas, më eficient, më transparent, më i aksesueshëm dhe për të dhënë drejtësi pa vonesë. Aktualisht eficienca e sistemit të drejtësisë po vihet në dyshim. Vakancat e krijuara në sistem për shkak të procesit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve (vetting), si dhe backlog-u i akumuluar, e kanë vendosur gjyqësorin dhe organet qeverisëse të tij përballëzgjidhjes së sfidave që kanë të bëjnë me standardet e “drejtësisë pa vonesa’ apo dhe me “drejtësinë e aksesueshme”. Për këtë arsye Objektivi është në koherencë me nevojat aktuale të sistemit. Në kushtet kur KLGJ është funksionale dhe ka objektiv strategjik aplikimin e parimeve të ekselencës së gjyqësorit, ky Objektiv është realist.
Gjithashtu, sa kohë Qëllimi i Politikës 2 kërkon një sistem në përputhje me standardet evropiane, sugjerojmë që përveç efikasitetit dhe efektivitetit të përfshihet edhe pavarësia e sistemit gjyqësor. Mungesa për vite e besimit tek sistemi i drejtësisë dhe skepticizmi tek rezultatet e deritanishme të Reformës në Drejtësi do të kërkonte rezultate të matshme që lidhen me pavarësinë. Gjithashtu, pavarësia është një standard i qëndrueshëm, i cili duhet të synohet nëçdo kohë, në mënyrë të vazhdueshme. Pavarësia e institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit (parashikuar në Objektivin 1.3) duhet të shihet si proces i ndarë nga pavarësia e gjyqësorit, sa kohë masat për arritjen e tyre janë të ndryshme. Sigurisht që transparenca e parashikuar në këtë objektiv në ofrimin e shërbimve të gjyqësorit do të na jepte të dhëna cilësore mbi pavarësinë e këtij të fundit.
Ky objektiv vjen në të njëjtën linjë me dy strategjitë sektoriale. Ai përkon me Synimin 1 dhe 3 të Planit Strategjik të KLGj 2019-2020 : “Përshpejtimi i Reformës së Pushtetit Gjyqësor dhe Akordimit të Burimeve” si dhe “Ofrimi Efikas i Shërbimeve dhe Funksionimi më i Mirë i Gjykatave”.
Përmbushja e këtij Objektivi lidhet me 5 Rezultate. Së pari, nga mënyra se si janë formuluar këto rezultate, në pjesën më të madhe të tyre duken më tepër si masa sesa si rezultate e për këtë duhet të riformulohen. Së dyti, jo të gjitha këto rezultate janë në përputhje me Objektivin 2.4. Rezultati 2.4.4 mbi fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të KLGJ më tepër se me këtë objektiv, lidhet me Objektivin 1.3. Sigurisht fuqizimi i kapaciteteve dhe burimeve në institucionin qeverisës të gjyqësorit, sjell rritjen e efikasitetit, pavarësisë apo eficencës së tij. Por synimi për eficencë dhe efektivitet në gjyqësor nuk sjell si rezultat ndërtim dhe fuqizim kapacitetesh të KLGJ-së. Edhe sikur në këtë rast problemi të qëndrojë tek mënyra e formulimit, përsëri jemi të mendimit që pavarësisht natyrës së integruar të gjyqësorit, SND II duhet të ndajë objektivat, rezultatet dhe masat që lidhen me organet e qeverisjes së gjyqësorit, vecmas nga ato që kanë të bëjnë me vetë gjyqësorin. Në këtë mënyrë do të ishte më i lehtë identifikimi i indikatorëve të rezultatit dhe matja e monitorimi i tyre. E njëjta gjë vlen dhe për Rezultatin 2.4.5. Në këtë Rezultat nuk del e qartë se si objektivi për gjyqësor efikas dhe efektiv, të aksesueshëm e transparent do të sjellë komunikim dhe koordinim efektiv të jashtëm të gjyqësorit me partnerë, institucione të pavarura apo ILD. Për më tepër, po të shohim masat që i përkasin këtij rezultati (Masat 2.4.6 2.4.7-2.4.8 dhe 2.4.9), vëmë re se ato i referohen më tepër transparencës dhe koordinimit mes institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit, sesa vetë këtij të fundit. Prandaj, ashtu si dhe për Rezultatin 2.4.4 mendojmë se ky rezultat nuk i shërben këtij objektivi dhe lidhet më tepër me koordinimin dhe transparencën e vetë institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit.
Nëse i referohemi masave në përmbushje të këtij objektivi, konstatojmë se ato duhet të jenë të plota dhe më tëdetajuara për çdo rezultat të pritshëm në përmbushje të synimeve të parashikuara në Objektivin 2.4. Duke qenë se efektiviteti dhe efikasiteti, kanë disa komponentë të matshëm në vetvete, sugjerojmë që çdo komponent i tyre të zbërthehet në masë konkrete. Gjithashtu nuk konstatohen masa për Gjykatën e Lartë, e cila është e përfshirë në mënyrë të shprehur në Objektiv, dhe ku plotësimi i strukturës së saj me personel, dhe adresimi i backlog-ut te krijuar në këtë Gjykate dhe në të gjitha shkallët e gjyqësorit është një ndër faktorët kryesorë që sot ndikon drejtpërdrejt në eficencën e sistemit gjyqësor. Mungesa e masave apo indikatorëve për matjen e progresit lidhur me adresimin e backlog-ut të akumuluar ndikon në eficencën dhe efiktivitetin jo vetëm të Gjykatës së Lartë, por në të gjithë sistemin gjyqësor.
Sa i takon indikatorëve për matjen e këtij objektivi, konstatojnë se janë të kufizuar në raport me synimet që përmban Objektivi. Ndërkohë që ata mund të masin kohën në dhënien e drejtësisë (dhe kjo pa përfshirë Gjykatën e Lartë), lënë jashtë fokusit të monitorimit një sërë komponentësh të tjerë që lidhen me efektivitetin dhe efikasitetin e gjyqësorit apo transparencën dhe aksesueshmërinë. Gjithashtu këto indikatore është vështirë të ndërlidhen me masat e parashikuara (të paktën në mënyrën aktuale të formulimit të tyre).
Konkluzion: Objektivi Specifik 2.4 është në koherencë me nevojën aktuale të gjyqësorit (në të gjitha nivelet e tij) për të qënë më efikas e efektiv, më transparent, më i aksesueshëm dhe për të dhënë drejtësi pa vonesë. Ky është një Objektiv thelbësor për mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor. Sugjerojmë që përveç efikasitetit dhe efektivitetit të gjyqësorit në synimet e këtij Objektivi të përfshihet dhe pavarësia e tij në dhënien e vendimeve, si një ndër prioritetet e Reformës në Drejtësi dhe pritshmëritë legjitime të publikut prej kësaj të fundit. Gjithashtu sugjerojmë që, në lidhje me këtë objektiv, të rishikohen rezultatet e pritshme, si nga mënyra e formulimit të tyre (pra të përdoret gjuhë më e përshtatshme për rezultate, pasi pjesa më e madhe duken si masa), ashtu dhe nga lidhja që ato kanë me Objektivin 2.4.(pasi jo të gjitha rezultatet janë në përmbushje të objektivit dhe një pjesë janë më të përshtatshme për Objektivin 1.3). Vlerësojmë se është e nevojshme që ky objektiv të plotësohet me masa shtesë që përmbushin rezultatet e parashikuara si të pritshme në kuadër të këtij objektivi. Në vijim të tyre do të identifikoheshin qartë dhe indikatorët. Po ashtu, e rëndësishtme në lidhje me këtë objektiv është që në të të përfshihen vetëm Rezultate dhe Masa që i referohen gjyqësorit dhe jo organeve të qeverisjes së tij, të cilat trajtohen në objektivat e Qëllimit të Politikës 1 apo koordinimit mes institucioneve të drejtësisë që trajtohen nëobjektivat e Qëllimit të Politikës 4.