Qëllimi i Politikës 1
“Funksionimi i plotë dhe profesional i institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore dhe standardet Evropiane, duke garantuar pavarësinë, efiçencën dhe llogaridhënien”.
Qëllimi i politikës së parë të Strategjisë Ndërsektoriale në Drejtësi 2021-2025 (SND II) përmban idenë dhe frymën e një pjese thelbësore të reformës në drejtësi, atë që lidhet me strukturën e mekanizmit të ri të prodhuar nga kjo reformë. Ky mekanizëm i ri, i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e më tej në ligj[1], parashikon si pjesë të tij disa institucione, konkretisht, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj), Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe Shkollën e Magjistraturës (ShM), të cilat do të qeverisnin të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor si një pushtet autonom brenda gjyqësorit, pa asnjë ndërhyrje nga pushtetet e tjera. Kështu, u shkëput cdo lloj lidhje e gjyqësorit me Ministrinë e Drejtësisë dhe Presidentin, lidhje që deri para reformës, pengonin pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Këto institucione kanë përgjegjësi të specializuara dhe të veçanta për të realizuar disa procese kyç që lidhen me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe janë hallka komplementare të njëra-tjetrës.
Kështu, KLGJ ka në përgjegjësi të tij administrimin dhe menaxhimin e gjyqësorit (kontrollin dhe menaxhimin e buxhetit të tyre të veçantë, administrimin dhe menaxhimin e gjykatave), dheështë organi vendimmarrës për cdo cështje që lidhet me gjyqtarët (përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë dhe emërimin e gjyqtarëve, ngritjen në detyrë të gjyqtarëve, vlerësimin e performancës së gjyqtarëve, çështjet disiplinore dhe etike, trajnimin e gjyqtarëve, etj).Përgjegjësitë e KLGj nuk lidhen vetëm me organizimin e gjyqësorit së brendshmi por, në mënyrë të veçantë, ky organ mban peshën e përgjegjësisësë funksionimit të pushtetit gjyqësor përballë përdoruesve të gjykatës dhe shoqërisë në tërësi.
KLP, gjithashtu, është organi i qeverisjes së prokurorisë, përgjegjës për cdo vendimmarrje që lidhet me prokurorët (përzgjedhjen e kandidatëve për prokurorë, emërimin e tyre, ngritjen në detyrë dhe vlerësimin e performancës së prokurorëve, cështjet disiplinore dhe etike, etj).
Për të kontrolluar anëtarët e Këshillave, gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, Prokurorinë e Përgjithshme dhe për të bërë inspektim institucional të gjykatave dhe prokurorive (çështjet që lidhen me rregullat institucionale dhe shërbimet administrative), u krijua ILD, si institucion kushtetues i pavarur, me funksionin ekskluziv procedimin disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas motos ‘askush s’është i paprekshëm dhe duhet të përgjigjet për shkeljet ligjore’ të gjitha këto veprimtari janë të domosdoshme për të garantuar zbatimin e parimit të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë që duhet të tregojnë të gjithë pjesëtarët e sistemit të drejtësisë. Vetëm një sistem llogaridhënie që funksionon sipas kuadrit ligjor është efikas e transparent dhe që ‘përqafon’ standardet më të mira të llogaridhënies kontribuon në mënyrë të ndjeshme në rikthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
KED është organi që bën verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. KED është konceptuar si një organ i pavarur, i cili formohet cdo vit me short dhe synon të ketë natyrën e një organi të specializuar dhe të decentralizuar. Anëtarët e tij, dukeqenëse vijojnë normalisht detyrat e tyre në gjykatat apo prokuroritë, prej nga ata vijnë, do të jenë “të ngarkuar” edhe me një detyrë tjetër, e cila për shkak se zgjat pak në kohë, nuk do të mund të krijojë lidhje varësie apo interesi të ndonjë lloj natyre.
Së fundmi, si një ndër organet e qeverisjes së gjyqësorit, është edhe Shkolla e Magjistraturës, e cila, sipas Kushtetutës, është e vetmja portë hyrjeje për në gjyqësor (nëpërmjet procesit të rekrutimit me anë të provimit, bazuar në vakancat e shpallura nga KLGJ dhe KLP) dhe i vetmi institucion përgjegjës për trajnimin e magjistratëve në detyrë.
Mirëfunksionimi i këtyre institucioneve është kushti i parë themelor i mirëfunksionimit të gjithë sistemit të drejtësisë.
Qëllimi i Politikës 1 përmban në vetvete dy drejtime: drejtimi i parë kërkon që organet e qeverisjes tëpunojnë në përputhje me kërkesat e ligjit dhe standardet evropiane, ndërsa drejtimi i dytë kërkon që organet e qeverisjes të jenë në gjendje tëpunojnë në mënyrë të plotë, të jenë të pavarura dhe të punojnë me profesionalizëm, efikasitet dhe konform standardeve të llogaridhënies. Pra, nga mënyra sesi është formuluar Qëllimi i Politikës 1, konkludohet që, ndërsa drejtimi i parë lidhet me ushtrimin e funksioneve nga ana e këtyre organeve në përputhje me ligjin dhe standardet evropiane, drejtimi i dytëështë më i gjerë. Ky i fundit lidhet me, së pari, funksionimin e tyre në kapacitet të plotë, dhe së dyti, me respektimin e të gjitha parimeve të së drejtës që duhet të udhëheqin punën e këtyre organeve. Parime të tilla si profesionalizmi apo efikasiteti janë parime të përgjithshme që duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet e drejtësisë, përfshirë këtu edhe gjykatat dhe prokuroritë e cdo niveli.
Pra, e para, këto institucione, përgjatë katërvjecarit të dytë të strategjisë së drejtësisë, duhet të kenë arritur konsolidimin e tyre tërësor, qoftë në strukturë, legjislacionin që i rregullon, aktet e veta të brendshme rregullatore, etj., dhe e dyta, duhet të prodhojnë rezultate të mirëfillta që lidhen me vendimmarrjet e tyre, rezultate që të tregojnë se këto organe janë të pavarura, profesionale, prodhojnë zgjidhje eficente për sistemin dhe janë të krijuara mbi bazën e llogaridhënies.
Vlen të theksohet se organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë kanë një karakteristikë themelore: ato nuk synojnë të mbeten thjesht si organe që zgjidhin vetëm problemet e brendshme të sistemit, qoftë të gjykatës apo të prokurorisë. Përkundrazi, ato duhet të jenë në gjendje të kuptojnë nevojat dhe kërkesat që vijnë jashtë gjyqësorit, në mënyrë që t’i shërbejnë drejtësisë dhe qytetarëve të një vendi, t’iu paraprijnë nevojave të sistemit dhe të jenë një hap përpara në zhvillimin strategjik të drejtësisë në një vend. Kërkesa e përdoruesve të gjykatës dhe prokurorisë për të marrë shërbim nga drejtësia është detyrë e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe vlerësojmë se, nëse do të ishte shprehur në Politikën 1, do të shënonte një përparim të vetë Strategjisë për këtë komponent.
Në Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2017-2020 (SND I) objektivi i parë strategjik ishte shprehur në mënyrë të ngjashme: “Forcimi i pavarësisë, efikasitetit, efektshmërisë dhe llogaridhënies së institucioneve të sistemit të drejtësisë”. Nga një krahasim literal i të dy qëllimeve strategjike duket se ato qëndrojnë në të njëjtat parashikime. Megjithatë, sic do të analizohet edhe në vijim, SND II vjen në një moment të ri, kur të gjitha organet e qeverisjes janë ngritur dhe janë duke funksionuar. Për këtë arsye SND II sjell një qartësim të rolit të secilit prej këtyre organeve.
Politika 1 synohet të realizohet duke vendosur tre objektiva specifikë kryesorë:1.1 Vazhdimi i zbatimit dhe finalizimi i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë efektive dhe efikase sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit; 1.2 Përditësimi dhe përmirësimi i legjislacionit të reformës në drejtësi bazuar në gjetjet nga analiza dhe monitorimi i zbatimit të reformës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, legjislacionin për kompetencat, transparencën, efikasitetin, dhe koordinimin; dhe 1.3 Fuqizimi dhe konsolidimi i organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet Evropiane, nëpërmjet krijimit dhe zhvillimit të kapaciteteve, që të kryejnë aktivitetin me pavarësi, efiçencë dhe standarde profesionale, dhe ofrimi i shërbimit të institucioneve të qeverisjes në drejtësi përmbush rregullat dhe standardet përkatëse.
Ky studim ka përzgjedhur për të trajtuar vetëm objektivat specifikë 1.2 dhe 1.3, duke qenë se objektivi i parë specifik vazhdon të jetëi lidhur ngushtësisht me organet e vetingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA), dhe, edhe sikur kompetencat e tyre t’i kalonin KLGj-së dhe KLP-së, siç e kërkon Kushtetuta, sërish kjo transfertëdo të ishte e shpejtë dhe do të rrezikonte të ishte sipërfaqësore çdo analizë për punën e këtyre organeve në një kohë të shkurtër.
Ndërkohë, dy objektivat e tjerë të përzgjedhur, janë komplementarë me njëri tjetrin dhe japin një pasqyrë më të plotë se si shprehet/kërkohet zhvillimi strategjik i organeve të qëverisjes përgjatë këtij katërvjeçari.
[1]Ligj 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.