Objektivi Specifik 1.2
“Përditësimi dhe përmirësimi i legjislacionit të reformës në drejtësi bazuar në gjetjet nga analiza dhe monitorimi i zbatimit të reformës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në legjislacionin për kompetencat, transparencën, efikasitetin, dhe koordinimin”.
Ky objektiv nënkupton nevojën që, pas një periudhe tre vjecare 2017-2020, të bëhet një analizë e funksionimit dhe aktivitetit të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë për të parë mundësinë e ndërhyrjeve në ligjin që rregullon këto organe. Ky objektiv, në përmbajtjen e tij, parashikon edhe fushat kryesore ku do të shtrihet analiza, si kompetencat e organeve, transparenca, efikasiteti dhe koordinimi mes tyre.
Së pari, në mënyrën sesi shprehet ky objektiv, përdoren fjalët: përditësim dhe përmirësim. Vlen të përmendet këtu se qëllimi i ndryshimeve në kuadrin ligjor lidhet me përmirësimin e funksionimit të organeve në rastet kur ligji ka penguar ose vështirësuar punën e tyre, si dhe kur aktualiteti i ri kërkon një rishikim të dispozitave ekzistuese. Nuk është detyrë e ligjit të bëjë përditësim, ndaj kjo shprehje nuk i përshtatet natyrës së objektivit dhe duhet shmangur.
Së dyti, nga analiza që i bëhet mënyrës sesi është shprehur ky objektiv, dallohet se ai i ka paravendosur se do të duhet të ketë ndryshimet në ligj dhe/apo rregullore, pa pritur ende rezultatet e një analize që do të kryhet rreth legjislacionit të miratuar në 2016 dhe, gjithashtu, nuk ka marrë nëkonsideratë ndryshimet e fundit të 2021 që prekin elementë të rëndësishëm të funksionimit të sistemit të drejtësisë. Edhe nga mënyra sesi janë shprehur rezultatet e kërkuara dhe masat e parashikuara për arritjen e objektivit, dallohet qartësisht se rishikimi i ligjeve dhe rregulloreve është një ndër synimet e këtij objektivi dhe afati i vendosur për këto ndryshime është viti 2021-2022, pra fillimi i veprimit të SND II. Vlen të kujtohet këtu se ecuria strategjike e sektorit të drejtësisë mbështetet mbi një analizë të thellë të sistemit të mëparshëm dhe ligjet e reformës janë produkt i kësaj analize. Në funksion të Qëllimit të Politikës 1, ky objektiv është i diskutueshëm nëse i shton vlera funksionimit të organeve të qeverisjes së drejtësisë apo vepron në të kundërt, duke prodhuar pasiguri institucionale dhe shkaktuar deri në moslejim të ushtrimit në mënyrë të pavarur, nga legjislativi dhe ekzekutivi, të funksioneve të tyre.
Gjithashtu, funksionimi i mekanizmit, në funksion të strategjisë së ideuar të sistemit të drejtësisë, nuk ka qenë tërësisht funksional përgjatë SND I dhe ende vijon të ketë paplotësi. I tillëështë për shembull, rasti i ILD-së, ku akoma nuk është plotësuar institucioni me inspektorë. Po kështu edhe rastet e KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat janë ende duke hartuar kuadrin e brendshëm rregullator tërësisht të ri, pra nuk mund të thuhet se ky kuadër rregullator është maturuar mjaftueshëm për të qenë i gatshëm t’i nënshtrohet një procesi analize e më tej ndryshimit të tij.
Së treti, vetë fokusi i Qëllimit të Politikës 1 qëndron në zbatimin e reformës, në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit, dhe jo në ridizenjimin e saj. Edhe pse hartuesit e dokumentit strategjik mund të jenë nisur nga një qasje funksionale me synim përmirësimin e elementëve që shikohen si problematikë në ligj (duke mbajtur në konsideratë se një ligj apo rregullore, sado mirë të kenë parashikuar apo sado afër të jenë me arritjen e objektivave të tyre, mund të ketë elementë, të cilët do të duhet të analizohen ex post dhe të përmirësohen), vendosja e rishikimeve ligjore si një objektiv më vete, me masa konkrete të parashikuara për institucionet e qeverisjes (analiza e zbatimit të ligjit nga institucionet e drejtësisë, përgatitja e përgjigjes mbi analizën e rishikimit të ligjit, finalizimi i rishikimit të kuadrit ligjor në dokumentin strategjik 2021-2025), nuk është e përshtatshme. Mosparashikimi në SND II i këtij objektivi sigurisht që nuk do të hiqte dhe as nuk do të zbehte asnjë nismë apo analizë të organeve apo pushtetit ligjvënës për të ndërhyrë në këto ligje, por, ama, do tëshmangte idenë se ndryshimi i ligjeve që rregullojnë qeverisjen e gjyqësorit po i nënshtrohet sërish një procesi ndryshimi strategjik.
Konkluzion: Vendosja e rishikimeve ligjore si një objektiv më vete i SND II, me masa konkrete të parashikuara për institucionet e qeverisjes nuk është e përshtatshme. Mosparashikimi në SND II i këtij objektivi nuk do të hiqte dhe as nuk do të zbehte nisma apo analiza të organeve apo pushtetit ligjvënës për të ndërhyrë në këto ligje, por, ama, do të shmangte idenë se ndryshimi i ligjeve që rregullojnë qeverisjen e gjyqësorit po i nënshtrohet sërish një procesi ndryshimi strategjik. Në këtë stad, theksi i Strategjisë duhet të jetë tek zbatimi i kuadrit ligjor dhe detyrat e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Ky kuadër dhe këto detyra janë relativisht të reja dhe duhet lënë kohë e mjaftueshme zbatimi për t’u analizuar në mënyrë domethënëse.