Rezultati 1.2.1
“Struktura e qeverisjes gjyqësore (KLGJ)/legjislacioni i rishikuar/ndryshuar, duke përfshirë por pa u kufizuar në rregulloret e brendshme”.
Në përmbushje të objektivit 1.2, të analizuar më sipër, parashikohet arritja e tre rezultateve kryesore, që lidhen me rishikimin e strukturës së KLGJ-së, KLP-së dhe ILD-së, legjislacionin e rishikuar apo të ndryshuar të tyre, dhe plotësimin e rregulloreve të brendshme të tyre (për KLP dhe ILD do të analizohet në vijim). Konkretisht, për KLGj-në, kërkohet që të zhvillohet një proçes analize dhe vendimmarrjeje për të paktën tre aspekte të funksionimit të tij: së pari, struktura e këtij organi, së dyti, ligjet që rregullojnë aktivitetin e këtij organi dhe, së treti, rregulloret e brendshme dhe aktet me fuqi të përgjithshme që nxjerr ky organ.
Ky rezultat është në përputhje me objektivin 1.2 dhe përbën një hap pozitiv në drejtim të zbërthimit në praktikë të këtij objektivi. Rezultati përbëhet nga tre komponentë kryesorë, të cilët do të duhet të merren në analizë më vete, për të bërë më të qartë sesi mund të realizohet ai, pracilat masa duhet të merren në mënyrë që të plotësohen tërësisht kërkesat e këtij rezultati.
E ndërsa këto tre drejtime arrihen të identifikohen, rezultati nuk përmban synimin e analizës së këtyre tre drejtimeve, qëështë ajo çfarë shpreh objektivi dhe qëllimi i politikës: veprimi i organeve në përputhje me standardet evropiane, me profesionalizëm, efikasitet, transparencë dhe në kushtet e llogaridhënies. Në përfundim, çdo rishikim i strukturës, ligjit apo rregullave të brendshme, do të duhet të ketë si synim përmbushjen e këtyre parimeve, pra rezutati i dëshiruar do të duhet të ishte një strukturë dhe bazë ligjore që garanton kushtet që KLGj të veprojë me profesionalizëm, efikasitet, transparencë, etj. Edhe pse këto parime i përmban objektivi 1.2, ato duhet të ishin vendosur në mënyrë të shprehur edhe tek secili rezultat.
Parë në këtë këndvështrim, pra se sa analiza e këtyre komponentëve do të prodhojë harmonizim dhe ecuri drejt parimeve të vendosura, suksesi i këtij rezultati është i diskutueshëm.
Në aspektin teorik, KLGj e ka të mundur të vetanalizojë strukturën e saj, ligjin që rregullon veprimtarinë e saj dhe gjithashtu aktet që ka prodhuar deri më tani. Në aspektin praktik, duke pasur parasysh ecurinë e veprimtarisë së këtij organi, kur mbledhja e parë e tij është bërë në 20 dhjetor 2018, kohën e gjatë që i është dashur për hartimin e dokumentave të rëndësishëm të brendshëm, afërsisht një vit ose më shumë[1], etj., rrezikon që ky kontroll nga ana e KLGj-së të jetë më tepër formal sesa substancial, përderisa këto akte të reja nuk janë maturuar e testuar për një kohë të gjatë në praktikë, pra nuk kanë pasur mundësinë të prodhojnë rezultate të mjaftueshme. Si rregull, cdo analizë e mëpasshme, ex post, e ligjeve apo rregulloreve, kërkon një periudhë zbatimi të ligjit apo rregullores, e më tej mund të nisë proçesi i monitorimit të zbatimit dhe, së fundmi, të bëhet analiza e këtij zbatimi dhe të dalin rezultate konkrete nëse ka ose jo nevojë për ndryshim[2].
Konkluzion: Rezultati i parashikuar është në përputhje me objektivin, megjithatë, është e diskutueshme nëse ai do ti shërbejë Politikës 1. Kjo për arsye sepse, si rishikimi i ligjit që rregullon KLGj-në, edhe rishikimi i akteve nënligjore të nxjerra nga ky organ, edhepse janë të mundshme për tu realizuar, analiza që ato do të prodhojnë do të jetë e mangët. Kjo lidhet drejtpërdrejtë me kohën e pamjaftueshme për të prodhuar një analizë të plotë mbi problemet që mund të ketë shkaktuar ligji apo aktet nënligjore në funksionimin e këtij organi si pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë.
[1]Vendim i KLGj nr.264, datë 21.11.2019, “Metodologjia e pikëzimit me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të gjyqtarit”; Vendim i KLGj nr.209, datë 11.10.2019, “Metodologjia për vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë”; Vendim i KLGj nr.316, datë 14.09.2020, “Për miratimin e rregullores “Për procedurat disiplinore në këshillin e lartë gjyqësor”; Vendim i KLGj nr. 622, datë 10.12.2020, “Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”; Vendim i KLGj nr. 171, date 22.04.2021, “Për miratimin e Kodi i etikës gjyqësore”, etj;
[2] OECD (2018), Ex-post assessment of regulation: Practices and lessons from OECD countries, OECD Publishing, Paris, fq. 11;