Rezultati 1.3.1

Rezultati 1.3.1

“Kapacitetet (duke përfshirë proceset, aftësitë dhe menaxhimin) dhe burimet (financiare, pajisje dhe infrastrukturë) të KLGJ-së janë të përshtatshme për të zbatuar aktivitetet e saj. KLGJ emëron, promovon dhe transferon numrin e kërkuar të gjyqtarëve dhe/ose të këshilltarëve ligjorë sipas rregullave dhe standardeve të kërkuara dhe të miratuara”.

Ky rezultat lidhet specifikisht me KLGJ, si një ndër institucionet e përfshira në Objektivin 1.3.

Me përmbushjen e Objektivit 1.3 rezultati i pritshëm për KLGJ do të orientohet në dy drejtime. Së pari, do të kemi të bëjmë me një institucion të konsoliduar, me kapacitete dhe burime të nevojshme për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive. Së dyti, në funksion të kësaj premise, kompetencat që i janë dhënë këtij institucioni në raport me gjyqësorin do të ushtrohen sipas standardeve përkatëse të fushës.

Aktualisht KLGJ në këto vite të para të funksionimit është duke rritur kapacitetet dhe performancën e saj. KLGJ ka ngritur strukturat përbërëse, ka rekrutuar staf dhe ka infrastrukturë që i ka mundësuar të krijojë bazën e nevojshme ligjore për ushtrimin e aktivitetit të saj. Ajo ka miratuar një sërë vendimesh për kriteret e emërimit, transferimit dhe ka përcaktuar standarde mbi matjen e performancës dhe sistemin e karrierës[1]. Përgjatë kohëzgjatjes së SND II, rritja e kapaciteteve dhe zbatimi i përgjegjësive me paanësi, bazuar në parimet e meritokracisë dhe transparencës, do të mundësojë arritjen e objektivit për fuqizimin e këtij organi dhe veprimin në përputhje me standardet e fushës. Për këtë Rezultati 1.3.1 është logjik dhe në koherencë me Objektivin 1.3, si dhe me gjendjen aktuale.

Rezultati është në vijim të parashikimeve të SND I, por edhe në  linjë logjike me rezultatet e pritshme të masave në zbatim të Planit të Veprimit 2019-2021 të SND 1 (konkretisht të masave 1 dhe 3 të nënobjektivit 1/a, si dhe masës 1 të nënobjektivit 1/b)

Ky rezultat është në fakt edhe pritshmëri e përmbushjes së masave të caktuara në synimet 2 (2.1 1) dhe 3 të Planit Strategjik të KLGJ-sëpër Sistemin Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë2019-2020.

Rezultati 1.3.1 është logjik dhe vlerësohet si i nevojshëm dhe i pritshëm referuar synimeve që ka Politika 1 dhe Objektivi 1.3. Megjithatë elementët e vendosur në këtë rezultat që orientojnë kuptimin e kapaciteteve, pra pjesa“duke përfshirë proceset, aftësitë dhe menaxhimin” mbetet e paqartë. Këtë vështirësi e thekson edhe mungesa e plotësisë së masave që janë parashikuar në funksion të arritjes së këtij rezultati. Për arritjen e tij, SND II ka parashikuar si masë vetëm “Përfundimi i procedurave të emërimit, promovimit, transferimit të magjistratëve të diplomuar nga SHM”.Përveçse e pasaktë në formulim, siç do të analizohet në vijim, masa duket të ndikojë pjesërisht në arritjen e këtij rezultati. Për këtë arsye, SND II rekomandohet ose të shtojë masa për t’a bërë rezultatin realist, ose të ndërlidhë këtë rezultat me masat eventuale që KLGJ parashikon të përfshijë në Planin e saj Strategjik për vitet në vijim, të cilin është duke e hartuar.

Në SND II, aktualisht nuk janë të përcaktuar indikatorë për matjen e këtij rezultati. Referuar Plan Veprimit të SND I për 2019-2021, për matjen e progresit të tij është parashikuar si indikator: “% e gjyqtarëve dhe prokurorëve që besojnë se gjyqtarët janë emëruar / ngritur në detyrë, transferuar, përveç aftësisë dhe përvojës në dy vitet e fundit (vlera të veçanta për gjyqtarët dhe prokurorët)”. Përfshirja e indikatorit “% e gjyqtarëve që besojnë se gjyqtarët janë emëruar / ngritur në detyrë bazuar në meritokraci dhe sistemin e karrierës”, lidhur me pjesën e gjyqësorit, do të jepte në mënyrë sasiore dhe cilësore perceptimin mbi arritjen e rezultatit për pjesën e zbatimit të standardeve në ushtrimin e veprimtarisë së saj dhe do e bënte atë më realist. Për tëmatur burimet e përshtatshme financiare një indikator mund të ishte “% e buxhetit të shtetit dedikuar KLGJ në raport me projektbuxhetet e propozuara prej vetë institucionit”. Për pjesën e matjes së kapaciteteve një indikator matës do tëishte“% e këshilltarëve/administratës së KLGJ-së që janë trajnuar mbi detyrat e tyre funksionale”.Ndërkohë indikatorë të tjerë, që do të tregojnë shkallën e përmbushjes së këtij rezultati, do të jenë në varësi të masave që duhet të parashikohen për rritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës.

Konkluzion: Rezultati është i nevojshëm dhe i përgjigjet Objektivit Specifik 1.3. Ai duhet të qartësojë elementet që nënkuptojnë kapacitetet me qëllim identifikimin e masave dhe indikatorëve për matjen e tyre. Gjithashtu, hartuesit duhet të konsultojnë me KLGJ masat që do të përcaktohen e që duhet të ndërmerren me qëllim arritjen plotësisht të këtij rezultati. Gjithashtu sugjerojmë që për monitorimin e këtij rezultati të përfshihen si indikatorë: “% e gjyqtarëve që besojnë se gjyqtarët janë emëruar / ngritur në detyrë bazuar në meritokraci dhe sistemin e karrierës”, “% e buxhetit të shtetit dedikuar KLGJ në raport me projektbuxhetin e parashikuar dhe propozuar prej vetë institucionit”, si dhe “% e këshilltarëve/administratës së KLGJ-së që janë trajnuar mbi detyrat e tyre funksionale”.    

[1]Shih për më tepër aktet e miratuara në http://klgj.al/akte-normative-nenligjore/