Rezultati 1.3.3

Rezultati 1.3.3

Kapacitetet e ILD-së (duke përfshirë proceset, aftësitë dhe menaxhimin) dhe burimet (financiare, pajisje dhe infrastrukturë) janë forcuar dhe konsoliduar dhe ky institucion ushtron funksionet e tij në mënyrë të pavarur, efikase dhe profesionale, duke zhvilluar procesin e verifikimit, hetimit disiplinor dhe inspektimit në përputhje me parimet e procedimit disiplinor dhe standardet ndërkombëtare. Këto aktivitete do të kryhen siҫ do të shihen të nevojshme për funksionimin e duhur të gjyqësorit dhe të prokurorisë dhe në përputhje me kërkesat ligjore, kuadrin rregullator dhe standardet e kërkuara.”

Edhe ky rezultat, ashtu si dy të tjerët më sipër, lidhet me prezumimin se me përmbushjen e Objektitivit 1.3 rezultati i pritshëm për ILD-në do të orientohet në tre drejtime.  Së pari,  kapacitetet dhe burimet e ILD do të jenë  të përshtatshme për të zhvilluar aktivitetin sipas kuadrit kushtetues dhe ligjor. Së dyti, bazuar në këto premisa ky institucion do të kryejë funksionet  e tij në mënyrë të pavarur, efikase dhe profesionale, duke zhvilluar procesin e verifikimit, hetimit disiplinor dhe inpektimit në përputhje me parimet e procedimit disiplinor dhe standardet ndërkombëtare. Së treti, (megjithëse nuk rezulton qartë) veprimtaria e këtij institucioni do të ndikojë në funksionimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, sipas legjislacionit dhe standardeve të kërkuara përkatëse që lidhen me llogaridhënien. Lidhur me këtë të fundit do tësugjeronim qëllogaridhënia e gjyqësorit të përfshihet nëObjektivat dhe Rezultatet e parashikuara në funksion të Qëllimit të Politikës 2, e cila i dedikohet performancës së sistemit gjyqësor. Gjithashtu, fjalia e fundit mban parashikime të përgjithshme dhe paqarta. Duket sikur pjesa “siç do të shihen të nevojshme”, lë një marzh subjektiviteti për ILD- në, edhe pse mund të mos jetë ky qëllimi.  Për këtë arsye, fjalia e tretë mund të rishikohet në funksion të qartësisë së saj, por edhe pa tejkaluar Qëllimin e Politikës 1 dhe Objektivin Specifik 1.3.

Sa i takon formulimit të këtij rezultati, vlen i njëjti sugjerim si për dy rezultatet paraardhëse. Mbeten për t’u qartësuar elementët e përcaktuar si komponentë përbërës të kapacitetit të institucionit.

ILD është institucion i ngritur dhe funksional prej shkurtit të vitit 2020. Gjatë kësaj faze fillestare të funksionimit të tij është plotësuar pjesërisht organika me inspektorë dhe ndërkohë është thuajse e plotësuar organika me stafin administrativ. Gjithashtu ILD ka plotësuar në një masë të madhe bazën ligjore të organizimit, funksionimit të saj dhe ushtrimit të kompetencave të dhëna nga ligji dhe Kushtetuta. Po ashtu janë ndërmarrë një sërë aktesh dhe masash për adresimin e backlog-ut të trashëguar nga KLD[1]. Në këtë moment është e rëndësishme ngritja e mëtejshme e kapaciteteve të institucionit dhe performanca në përputhje me parimet e procedimit disiplinor dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë aspekt Rezultati i parashikuar duket koherent dhe i domosdoshëm.

Pavarësisht pasaktësive të lartpërmendura, Rezultati 1.3.3përmban një rregullim që është në linjë vazhdimësie me parashikimet e SND I. Ai është vijim logjik i arritjes së objektivave të parashikuar në “Planin Strategjik dhe Planin e Veprimit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë 2020 -2022”, si dhe të një sërë masash të parashikuara në këtë të fundit, me qëllim arritjen e këtyre objektivave.

Sa i përket masave të këtij rezultati, SND II ka parashikuar një sërë të tillash që mundësojnë realizimin e tij. Siç do të analizohet në vijim, duhet të vlerësohet koherenca e këtyre masave në raport me parashikimet strategjike dhe shkallën e realizimit të tyre në Planin e Veprimit të ILD-së, me qëllim që të kemi një koherencë më të madhe midis këtyre dy dokumenteve strategjike dhe për t’i bërë rezultatet sa më realiste.

Për arritjen e këtij Rezultati SND II, parashikon dy indikatorë: Së pari, % e procedurave të filluara disiplinore për ankesat kundër gjyqtarëve ose prokurorëve” dhe,së dyti,“Treguesi i zgjidhjes së çështjeve të prapambetura për disiplinën e ankesave të paraqitura në ILD”. Të dy këta tregues masin eficiencën e këtij organi, por nuk japin të dhëna të plota mbi zbatimin e standardeve nga ana e tij. Ashtu si tek Rezultatet më sipër, si indikator mund të shërbenin sondazhet e kryera me trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të llogaritur përqindjen e atyre që mendojnë se ILD ka ose nuk ka respektuar gjatë standardet në procesin e verifikimit, hetimit disiplinor dhe inspektimit. Ndërkohë masa dhe tregues për pjesën e konsolidimit të kapaciteteve dhe burimeve gjejmë në Planin e Veprimit të Zyrës së ILD.

Konkluzion: Rezultati është i domosdoshëm dhe i përgjigjet Objektivit Specifik 1.3. Ai duhet të qartësojë elementet që nënkuptojnë kapacitetet, me qëllim kuptimin më të qartë të tij, si dhe për identifikimin e masave dhe indikatorëve për matjen e tyre. Gjithashtu për t’a bërë sa më realist këtë rezultat duhet një koherencë më e madhe mes masave të parashikuara për arritjen e tij dhe afateve të parashikuara në Planin e Veprimit të ILD apo shkallës së realizimit të tyre. Ndërkohë që masa dhe tregues për pjesën e konsolidimit të kapaciteteve dhe burimeve gjejmë në Planin e Veprimit të Zyrës së ILD, sugjerojmëqë, në kuadër të monitorim të zbatimit të SND II, të përfshihet si indikator (bazuar në sondazhet e kryera me trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve) “përqindja e gjyqtarëve/prokurorëve që mendojnë se ILD ka/nuk ka respektuar gjatë standardet në procesin e verifikimit, hetimit disiplinor dhe inpektimit”.

[1]Shih për më tepër: https://ild.al/sq/legjislacion/akte/