Masa 2.1.11
“Përgatitja, diskutimi dhe miratimi i paketës së rregullave standarde për funksionimin e gjykatave”.
Kjo masë parashikon që KLGj do të përgatisë, brenda vitit 2022, një paketë rregullash standarde lidhur me procese të ndryshme të administrimit të gjykatave në të gjitha nivelet, duke nisur nga rregullat për caktimin e numrit të gjykatave dhe të gjyqtarëve që do të jenë pjesë e një gjykate (neni 15 dhe neni 22 i ligjit 98/2016), tek rregullat për krijimin e seksioneve dhe trupave gjykues (neni 23 i ligjit 98/2016), rregullat për programin dhe procedurat e ndarjes së cështjeve me short (neni 25 i ligjit 98/2016), rregullat për procedurën e funksionimit të mbledhjes së Këshillit të Gjykatës (neni 28 i ligjit 98/2016), rregullat për marrëdhëniet me publikun, etj.
Kjo masë iu referohet vetëm rregullave standarde, vendimeve dhe udhëzimeve që nxjerr KLGj, dhe jo ligjeve, për dispozitat që ato përmbajnë për funksionimin e gjykatave. Për këtë arsye, sikundër është shpjeguar edhe më lart, kjo masë e përmbush pjesërisht rezultatin, vetëm për pjesën e legjislacionit sekondar.
Lidhur me afatin e parashikuar për plotësimin e kësaj mase, viti 2022, duket se ky afat është shumë i afërt, nëse marrim në konsideratë kohën që i është dashur KLGj për të prodhuar akte të tilla, numrin e madh të akteve që KLGj duhet të përgatisë dhe specifikave të tyre dhe për më tepër, në kushtet kur përcaktimi i hartës së re gjyqësore është elementi i parë bazë që do të përcaktojë edhe strategjinë dhe politikbërjen e gjyqësorit në shpërndarje burimesh njerëzore dhe infrastrukturore.
Kjo është arsyeja pse harta e re gjyqësore ishte parashikuar për t’u përmbushur brenda SND I (objektivi 1.04) dhe mospërmbushja e saj brenda kohës së veprimit të SND I, deri në 2020, sjell pasojën që këto masa, në funksion të hartës së re, tëmos jenë të natyrshme as në 2022.
Konkluzion: Kjo masë e përmbush pjesërisht Rezultatin, vetëm për pjesën e legjislacionit sekondar (rregullave standarde, vendimeve dhe udhëzimeve) dhe jo ligjit, sic kërkohet nga Rezultati. Gjithashtu kjo masë nuk garanton se do të jetë e mundshme dhe efektive në afatin e parashikuar nëse marrim në konsideratë përvojën e deritanishme dhe boshllëkun e madh dhe thelbësor që ka shkaktuar mungesa e hartës së re gjyqësore.