Masa 2.1.13
“Përgatitja, diskutimi dhe miratimi i paketës së legjislacionit dytësor mbi nëpunësit civilë gjyqësorë”.
Kjo masë parashikon përgatitjen dhe miratimin e të gjitha akteve nënligjore nga KLGj, në bashkëpunim me gjykatat, që do të rregullojnë cështjet që lidhen me nëpunësit civilë gjyqësorë. Është e rëndësishme të theksohet se ligji bën një ndarje të kompetencave, në rastin e nëpunësve civilë gjyqësorë, ndërmjet KLGj dhe Këshillit të gjykatës.
KLGj është përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e të gjitha shërbimeve që lidhen me administrimin gjyqësor (neni 36 i ligjit 98/2016). Gjithashtu, KLGj miraton edhe rregulla standarde që lidhen me shërbimet e gjykatës dhe kushtet që duhet të plotësojnë nëpunësit civilë gjyqësorë (neni 41 i ligjit 98/2016). KLGjmiraton me vendim rregulla të hollësishme për vlerësimin paraprak, krijimin, përbërjen dhe kompetencat e Komisionit të Pranimit, si dhe për procedurën e vlerësimit për nëpunësit civilë gjyqësorë (neni 54 i ligjit 98/2016), lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë (neni 57 dhe 58 i ligjit 98/2016) dhe për procedurën për ndërprerjen e marrëdhënies në shërbimin civil gjyqësor (neni 82 i ligjit 98/2016). Gjithashtu, KLGj është përgjegjëse edhe për miratimin e rregullave të hollësishme për mënyrën e përllogaritjes së numrit të kandidatëve për kancelarë që pranohen në programin e formimit fillestar, të ofruar nga Shkolla e Magjistraturës, dhe verifikimin e kandidatëve që pranohen në provimin e pranimit (neni 53 i ligjit 98/2016).
Ndërkohë, është Këshilli i gjykatës ai që merr vendime direkte për statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë, miraton strukturën dhe organikën e administratës së gjykatës (sipas modelit të miratuar nga KLGj), bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës dhe KLGj për cështje që lidhen me formimin fillestar dhe vazhdues të nëpunësve civilë gjyqësorë, etj. Gjithashtu, Këshilli i Gjykatës duhet të organizojë rregullisht takime me përdoruesit e gjykatës në funksion të rritjes së efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë (neni 38 i ligjit 98/2016) dhe përgjigjet për ecurinë e punës së nëpunësit civil gjyqësor të caktuar për marrëdhëniet me publikun pranë gjykatës.
Kjo është një masë shumë e rëndësishme, me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të dukshëm në performancën e gjykatës. Për këtë arsye, përmbushja e saj në një kohë sa më të shpejtëështë tejet e rëndësishme për pushtetin gjyqësor dhe besimin e publikut në drejtësi. Sipas planit të veprimit të SND II, kjo masë duhet të realizohet brenda vitit 2022. Për analogji me masën 2.1.11, edhe vështirësitë që lidhen me mundësinë e realizimit brenda këtij afati kohor të masës, janë të njëjta dhe mund t’a bëjnë të pamundur përmbushjen e saj. Vlen të tërhiqet vëmendja se, deri më tani, KLGj ka prodhuar një udhëzim, konkretisht Udhëzimin nr. 85, datë 11.03.2021 “Për proçesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil gjyqësor nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ngritjes në detyrë dhe pranimit nëpërmjet konkurrimit të hapur”.
Konkluzion: Kjo masëështë në përputhje me Rezultatin dhe Objektivin Specifik dhe ka një rëndësi të madhe në përmbushjen me sukses të tyre. Megjithatë, edhepse kjo është një masë e ngutshme dhe do të ishte tejet pozitive përmbushja e saj në afatin e caktuar, sërish nëse marrim në konsideratë përvojën e deritanishme të KLGj-së në nxjerrjen e akteve dhe boshllëkun e madh dhe thelbësor që ka shkaktuar mungesa e hartës së re gjyqësore, është e pasigurtë nëse kjo masëështë realiste dhe nëse do të jetë efektive nëse realizohet në një kohë kaq të afërt.
Konkluzion për tëdy masat: Në të dy masat e analizuara, organi që mbart peshën kryesore në përmbushjen e tyre është KLGj dhe si pjesëmarrës janë parashikuar gjykatat. Është e rëndësishme që në vijim të studimit të analizohet dhe monitorihet se cilat do të jenë hapat që do të ndjekë KLGj për të krijuar bashkëpunim dhe diskutim me gjykatat. Kjo lidhet me faktin se ndryshimet e reformës në drejtësi kishin si qëllim të tyre fuqizimin e brendshëm të gjykatave (një parashikim në reflektim të kësaj ideje përshembull ështëkrijimi i Këshillit të gjykatës) dhe është shumë me interes të shihet sesi KLGj dhe gjykatat do të bashkëpunojnë mes tyre në funksion të shërbimit më të mirë ndaj qytetarit.