Masa 2.1.8
“Përgatitja, diskutimi dhe miratimi i paketës së ndryshimeve të nevojshme të Ligjit për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Kjo masë, gjithashtu, është e njëjtë si në formulim edhe në arsyet e parashikimit të saj në përmbushje të Rezultatit 2.1, me dy masat e tjera të analizuara më sipër. Ligji për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative është ligji bazë procedural që rregullon procesin e gjykimit administrativ, gjykim i vecantë në Shqipëri, si për nga karakteristikat e këtij gjykimi, edhe për nga gjykatat kompetente.
Kjo masë parashikon hapat që duhet të ndiqen nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar këtë ligj me synim për të lehtësuar, ndihmuar dhe nxitur bërjen efektive të gjykatave administrative, rritjen e transparencës dhe forcimin e garancive lidhur me aksesin e palëve në proces. Ajo është e domosdoshme për t’u realizuar në përmbushje të Rezultatit pasi vetë ligji është ai që kufizon, nëpërmjet normimit dhe detyrueshmërisë së tij, të drejtat e palëve dhe përdoruesve të gjykatës administrative, nga njëra anë, dhe të drejtat për të disponuar të gjykatës, nga ana tjetër.
Për realizimin e kësaj mase është parashikuar viti 2023, ndërsa brenda vitit 2025 është planifikuar se do të përmbyllet analiza mbi efektivitetin e ndërhyrjeve. Do të ishte më realiste që për realizimin e kësaj mase të parashikohej fundi i vitit 2025, pasi duhen marrë në analizë efektet që do të prodhojnë ndryshimet e fundit të ligjit që hyri në fuqi në maj të vitit 2021, të cilat u realizuan duke pasur si synim rritjen e efektivitetit të gjykatave administrative të dy shkallëve të para dhe Kolegjit administrativ në Gjykatën e Lartë. Kalimi i një kohe të arsyeshme, të paktën dy vjecare nga momenti i hyrjes në fuqi të tyre, është i nevojshëm për të nisur analizën mbi këto ndryshime dhe do të jetë e mundur që vetëm në përfundim të vitit 2025 të mund të dalin konkluzione lidhur me ndryshimet e nevojshme në ligj.
Konkluzion: Kjo masëështë e domosdoshme për t’u realizuar në përmbushje të Rezultatit, por afati i vendosur për realizimin e masës duhet të ishte më i gjatë. Kjo lidhet me ndryshimet e Ligjit për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative që hynë në fuqi në maj të vitit 2021. Pamjaftueshmëria e kohës për të analizuar ndikimin e këtyre ndryshimeve, e më tej arritja e konkluzioneve, rrezikon që ta shndërrojë këtë masë në jorealiste dhe joefektive.
Konkluzion për të tre masat: Të tre masat e përfshira në këtë analizë, e marrin vlerën e tyre të vërtetë nëse kalojnë në një proces të gjerë dhe real konsultimi e diskutimi. SND II parashikon që procesi i analizës dhe ndryshimeve të mundshme do të drejtohet prej Ministrisë së Drejtësisë, por do të ketë si institucione pjesëmarrëse edhe KLGJ, KLP, PP dhegjykatat. Do të jenë shumë të rëndësishme masat reale që do të merren nga MD për të krijuar një bashkëpunim të frytshëm mes këtyre aktorëve. Eksperienca e ndryshimeve të fundit të majit 2021, nuk ishte shumë pozitive në këtë aspekt, për shkak të ndryshimeve thelbësore nga njëra anë, dhe moskrijimit të bindjes se këto ndryshime erdhën si rrjedhojë e një konsultimi të gjerë, duke pasur parasysh edhe kohën shumë të shpejtë që iu desh MD për t’i hartuar, diskutuar e miratuar. Do të jetë shumë me interes për këtë studim të ndjekë dhe monitorojë hapat konkretë që do të ndiqen për përmbushjen e këtyre masave.