Rezultati 2.1.2
“Dispozitat ligjore në lidhje me sistemin gjyqësor të ndryshuara për të lejuar organizimin kompetent, transparent dhe efikas të proceseve gjyqësore dhe për të tërhequr staf të mjaftueshëm dhe të kualifikuar. Përfshirja e legjislacionit specifik për të siguruar transparencën dhe efikasitetin e proceseve që ndiqen nga administrata gjyqësore, menaxhimin efikas të performancës cilësore të stafit të administratës gjyqësore dhe zotërimi i financimit të mjaftueshëm për çdo mbulim kostosh”.
Ky rezultat synon përforcimin e kapaciteteve të gjykatës në aspektin institucional. Edhe nga mënyra se si është shkruar Rezultati, arrihen të identifikohen dy qëllime kryesore dhe komplementare që synohen prej tij: së pari, duhet të analizohen, rishikohen dhe ndryshohen ligjet që lidhen me funksionimin e gjyqësorit, dhe së dyti, duhet të nxiten mekanizmat e duhur ligjorë dhe nënligjorë e institucionalë, në funksion të rregullimit dhe menaxhimit të vazhdueshëm të punës së administratës gjyqësore, përfshirë edhe kontrollin e cilësisë.
Ligji bazë që rregullon organizimin dhe funksionimin e sistemit të gjykatave në Shqipëri, organizimin e tyre të brendshëm, funksionimin e administratës së gjykatave dhe statusin e nëpunësve civilë gjyqësorëështëligji nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Megjithatë, edhe ligje të tjera parashikojnë dispozita komplementare që lidhen me specifika të institucionit që këto ligje rregullojnë. Kështu përshembull, ligji 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” parashikon dispozitë të posaçme për punonjësit e administratës gjyqësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (neni 44 dhe 45 i ligjit). Gjithashtu, ligji 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” parashikon detyrim për kancelarin e gjykatës (nëpunësi më i lartë civil gjyqësor) për të vendosur në dispozicion të nëpunësit përgjegjës që po ushtron kontroll ndaj një magjistrati të caktuar në atë gjykatë, kushtet e nevojshme për ushtrimin e detyrave (neni 91 i ligjit). Një rol shumë të madh në përcaktimin e ecurisë së funksionimit të gjykatave ka edhe KLGj, e cila përmes akteve me fuqi të përgjithshme dhe udhëzimeve të saj, ka të drejtë dhe detyrim të normojë mënyrën sesi gjykatat do të duhet të veprojnë për cështje të caktuara, apo formën e akteve që ato do të duhet të nxjerrin dhe zbatojnë.
Është e rëndësishme që, pasi ka kaluar një kohë nga hyrja në fuqi e këtyre ligjeve, të analizohen dispozitat që parashikojnë këto ligje se sa përputhen me njëra-tjetrën, sa në harmoni janë dhe se sa janë në gjendje që, duke u përdorur nga organe të ndryshme, të japin produktin e dëshiruar në praktikë. Është po ashtu shumë e rëndësishme që, në zbatim të ligjit, institucionet e ngarkuara të përgatisin bazën nënligjore dhe të sigurojnë procesin e llogaridhënies për nëpunësit civilë gjyqësorë.
Përmbushja e këtij rezulati, sipas planit të masave, do të realizohet në dy pjesë, analiza e ligjit dhe akteve do të bëhet brenda vitit 2021 dhe përgatitja e ndryshimeve ose akteve të reja brenda vitit 2022, ndërkohë që në fund të vitit 2025 është menduar të bëhet analiza e plotë dhe tërësore e akteve të prodhuara, për të parë se sa ato kanë qenë efikase dhe kanë arritur të forcojnë transparencën dhe efikasitetin e gjykatave, si dhe nëse administrata gjyqësore ka arritur të rrisë nivelin e performancës së saj nëpërmjet rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimit/përmbushjen e detyrave.
Kjo ndarje në kohë nuk duket të jetë shumë realiste për shkak se peshën më të madhe në realizimin e këtij rezultati do të duhet t’a mbajnë plotësimi i kuadrit nënligjor dhe rregullimi i kuadrit ligjor ekzistues, në rast se vihen re pengesa që cënojnë mirëadministrimin e gjykatave. Duke pasur parasysh ritmet me të cilat ka vepruar KLGj në nxjerrjen e udhëzimeve për gjykatat[1] dhe gjithashtu, ndryshimet e fundit të ligjeve që hyn në fuqi në maj të vitit 2021 që prekin edhe cështje të karakterit strukturor të gjykatave, për shembull vendosja e figurës së ndihmësit në gjykatat e rretheve gjyqësore, është thuajse e pamundur që të krijohet gjithë kuadri mbështetës në një kohë kaq të shkurtër. Gjithashtu, në funksion të këtij rezultati duhet parë edhe krijimi i hartës së re gjyqësore. Është iluzive të pretendohet se ende pa pasur të qartë shpërndarjen e gjykatave, do të mund të bëhen politika dhe rregulla të përgjithshme e afatgjata me ndikim real në cështjet e administrimit të drejtësisë dhe eficencës së gjykatave.
Ajo çfarë dallohet qartë si mangësi në planin e masave që përmbushin këtë rezultat është se asnjë masë nuk parashikon rishikimin e legjislacionitbazë, ashtu sic e kërkon Rezultati dhe Objektivi Specifik të sipëranalizuar. Të gjitha masat e parashikuara i referohen analizës, ndryshimeve dhe plotësimit vetëm të legjislacionit sekondar. Pra, këto masa nuk arrijnë dot t’a plotësojnë tërësisht rezultatin.Nëse marrim vetëm një shembull, plotësimin me staf të kualifikuar tëgjyqësorit, kërkesë e këtij rezultati, është e pamundur të pranosh se për të arritur këtë mjaftojnë vetëm ndryshime dhe plotësime të akteve nënligjore, në një kohë që kriteret për pozicionet e punës, trajtimi financiar, etj., janë pjesë e ligjeve bazë.Është me vend të përmendet rasti i ndihmësve ligjorë, vendet vakante për të cilët nuk po arrihet dot të plotësohen, për arsye që, më së shumti lidhen me ligjin, me mënyrën sesi ai e ka rregulluar këtë kategori, duke mos e diferencuar ndjeshëm në hyrjen në sistem nga magjistratët, por duke e diferencuar thelbësisht në trajtimin që i bëhet atij në punë.
Konkluzion: Rezultati është në përputhje me Objektivin Specifik 2.1 dhe Politikën 2, por ai nuk është realist për shkak të kohës së shkurtër që i është lënë në dispozicion organeve të plotësojnë kuadrin e tyre nënligjor, për shkak të mosmarrjes në konsideratë të kohës së nevojshme që do të duhet për të prodhuar ndryshimet e bëra rishtas dhe për shkak të mos-harmonizimit të këtyre afateve me zgjidhjen e cështjes së hartës së re gjyqësore, e cila është kyce në mirëadministrimin dhe eficencën e gjykatave.
[1]Vendim i KLGj, nr. 78, datë 30.05.2019 “Për kalendarin e shqyrtimit të çështjeve në gjykatën e apelit”; Vendim i KLGj nr. 47, datë 11.02.2021 “Për miratimin e “Udhëzuesi “Për mbajtjen dhe plotësimin e tabelave me të dhëna statistikore për efekt të matjes dhe monitorimit të produktivitetit dhe efiçencës së gjykatave”.