Rezultati 2.4.5
“Krijimi i komunikimit dhe koordinimit efektiv të jashtëm: përmirësimi i marrëdhënieve midis gjyqësorit, partnerëve të tij, institucioneve të pavarura, si ILD, dhe publikut duke zhvilluar dhe zbatuar një strategji komunikimi të qartë”.
Ky rezultat nënkupton që në funksion të përmbushjes së Objektivit Specifik 2.4 të kemi komunikimin dhe koordinimin efektiv midis gjyqësorit, partnerëve të tij dhe institucioneve të pavarura, si ILD. Si premisë për këtë rezultat do të jetë zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie të qartë komunikimi.
Nga mënyra si është formuluar, duket që ky rezultat i përgjigjet vetëm pjesërisht Objektivit 2.4, konkretisht pjesës së transparencës në shërbimet e ofruara.
Komunikimi me publikun ndikon në transparencën e gjyqësorit, aksesin e qytetarëve në informacion, rrit besimin e publikut tek drejtësia dhe bën sistemin më të përgjegjshëm. Gjithashtu, ekzistenca e një strategjie komunikimi per se, përbën hap pozitiv për çdo institucion apo sistem. Një strategji e tillë, për llogari të gjyqësorit‘, është miratuar nga KLGJ[1]. Kjo lloj strategjie pritet të sjellë efekte tek publiku dhe përdoruesit e gjykatave të të gjitha niveleve. Strategjia e komunikimit ka natyrë gjithëpërfshirëse dhe parashikon forma komunikimi dhe ndërveprimi me publikun dhe përfituesit e gjykatave. Për t’a bërë realist këtë rezultat, nëSND II, në konsultim me KLGJ, do të ishte me interes të përfshiheshin masa, të cilat janë ende në proces në kuadër të Planit Strategjik të komunikimit miratuar për Gjyqësorin. Kështu do të monitorohej dhe do të matej progresi i transparencës së gjyqësorit me publikun dhe shkalla e realizimit të vetë Planit Strategjik të Komunikimit. Në këtë mënyrë dhe indikatori që mat këtë rezultat “% e çështjeve gjyqësore për të cilat informacioni bazë është në dispozicion në internet dhe i përditësuar” do tëmerrte më tepër vlerë. Një indikator tjetër në funksion të matjes së këtij rezultati mund të jetë dhe “% e çështjeve gjyqësore për të cilat vendimet janë publikuar në faqen e web, apo “% e rezultateve të performancës së gjykatës që gjendet e publikuar në faqen e gjykatës dhe KLGJ-së”.
Pjesa tjetër e Rezultatit është e paqartë dhe të paktën ashtu siç është formuluar nuk i përgjigjet Objektivit 2.4. Nuk del e qartë sesi komunikimi me institucionet e pavarura (ku nuk kuptohet kush janë këto institucione), partnerët e tij (term i paqartë dhe jo juridik), apo ILD (funksioni i të cilit lidhet me llogaridhënien) do të ndikojë në eficiencë, efektivitet apo transparencë të gjyqësorit.
Gjithashtu, masat që janë në zbatim të Objektivit 2.4 dhe lidhen me këtë Rezultat duket se i referohen rritjes së bashkëpunimit institucional mes institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit, si dhe transparencës së tyre me publikun, duke u fokusuar tek ILD. Këto masa më tepër ndikojnë në konsolidimin dhe transparencën e institucioneve të qeverisjes, parashikuar në Objektivin 1.3 të Politikës 1 të SND II.
Konkluzion: Rezultati 4.2.5 duhet të rishikohet në tërësinë e tij. Së pari, sugjerojmë të riformulohet në përputhje me Objektivin 2.4, duke u foksuar tek komunikimi i gjyqësorit me publikun dhe duke shmangur pjesët që nuk i përgjigjen Objektivit 2.4. Së dyti, në funksion të këtij saktësimi dhe për t’a bërë sa më realist, duhet të rishikohen edhe masat e vendosura që do të mundësojnë arritjen e tij.
[1]Shih Vendimin e KLGJ nr. 590, 26.11.2020 “Për miratimin e Planit Strategjik të Komunikimit për sistemin Gjyqësor”http://klgj.al/ëp-content/uploads/2020/12/PLANI-STRATEGJIK-I-KOMUNIKIMIT-P%C3%8BR-SISTEMIN-GJYQ%C3%8BSOR.pdf