Objektivi specifik 2.5
“Aksesi efikas në drejtësi i siguruar nëpërmjet ndihmës juridike, zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve dhe tarifave gjyqësore të përshtatshme.”
Përmirësimi i aksesit në sistemin e drejtësisë ka qenë një nga qëllimet kryesore të reformës. Në mënyrë që ky akses të jetë sa më efektiv për qytetarët duhet të ‘investohet’ në shumë drejtime. Për nga mënyra se si është formuluar, ky Objektiv fokusohet në tre drejtime: (i) tek ndihma juridike; (ii) zgjidhjet alternative të mosmarrëveshjeve; dhe (iii) hartimi i tarifave të përshtatshme gjyqësore. Të tria këto aspekte, megjithëse jo të vetmet, janë shumë të rëndësishme për të siguruar aksesin në drejtësi.
E drejta për ndihmë juridike siguron akses efektiv në drejtësi për ata që kanë pamjaftueshmëri burimesh financiare për të mbuluar kostot e çështjeve gjyqësore, siç janë tarifat ose shpenzimet gjyqësore të përfaqësimit ligjor.
Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve (ZAM) i referohet procedurave të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve – si ndërmjetësimi dhe arbitrazhi-që ofrojnë zgjidhje jashtëgjyqësore për mosmarrëveshjet. Aplikimi i tyre përmirëson efikasitetin e drejtësisë, duke zvogëluar ngarkesën e punës së gjykatave dhe duke u ofruar individëve një mundësi për të zgjidhur mosmarrëveshjet në një kohë më të shpejtë dhe me më pak kosto financiare e sociale.
Tarifat gjyqësore duhet të jenë të studiuara në mënyrë që të ndihmojnë administrimin efikas të drejtësisë. Ato, nga njëra anë, nuk duhet të rëndojnë palët me kosto të tepërta qëi pengojnë t’i drejtohen gjykatës për shkelje të të drejtave, si dhe, nga ana tjetër, duhet të mbulojnë kostot administrative dhe të pengojnë palët që abuzojnë me të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës.
Ky Objektiv është në përputhje me Qëllimin e Politikës 2, një ndër drejtimet e së cilës është fuqizimi i aksesit në drejtësi në përputhje me kërkesat kushtetuese, ligjore dhe standardet evropiane.Objektivi 2.5 gjithashtu vjen në vijimësi të objektivave të SNDI. Konkretisht Nën-objektivi 3/b: “Përmirësimi i aksesit në sistemin e drejtësisë, ishte pjesë e Objektivit 3 të SND I: Përmirësimi i funksionimit të sistemit gjyqësor duke forcuar efikasitetin, transparencën dhe qasjen në gjykatë në përputhje me standardet evropiane.”
Objektivi 2.5 i përgjigjet gjithashtu nevojave aktuale të shoqërisë. Sistemi i ndihmës juridike është në fazë konsolidimi. Pas hartimit të bazës ligjore dhe shtimit të rrjetit të qendrave të ofrimit të ndihmës juridike, sfidë mbetet ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi kushtet e përfitimit të saj dhe rritja e numrit të atyre që përfitojnë ndihmë juridike parësore dhe dytësore falas.
Alternativat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, me gjithë ndihmën që do të mund t’i ofronin qytetarëve dhe sistemit gjyqësor, mbeten jo-efektive dhe duhet që, përveç ndërgjegjësimit, të bëhet një analizë e bazës aktuale ligjore, duke evidentuar pikat e dobëta, si dhe duke e sjellë atë në përputhje me modelet e suksesshme, të cilat shmangin këto probleme dhe i përshtaten realitetit shqiptar.
Gjithashtu, tarifat gjyqësore janë të nevojshme për t’u rishikuar, duke marrë në konsideratë organizimin e sistemit në bazë të hartës së re gjyqësore.
Ky objektiv materializohet në 3 rezultate[1]. Këto rezultate janë të plota dhe në përputhje me Objektivin 2.5. Sugjerojmë që Rezultati 2.5.2 të riformulohet në formën e një rezultati pasi ka më tepër natyrën e një mase gjithëpërfshirëse. Për shembull, mund të formulohet: “Mekanizma efektive për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve”. E njëjta vërejtje vlen edhe për Rezultatin 2.5.3. Edhe ky rezultat duhet të riformulohet në përputhje me natyrën e një rezultati. P.sh “Tarifa të studiuara të cilat maksimizojnë aksesin në drejtësi, me fokus grupet vulnerabël”. Nga mënyra se si është shkruar ky rezultat parashikon rritje tarifash, duke paragjykuar rezultatet e një analize të thellë të sistemit të tarifimit, i cili në vetvete duhet të gjejë një balancë të shëndetshme mes aksesit në drejtësi, kostove administrative të procesit, si dhe identifikimin e drejtë të kategorive që përjashtohen nga tarifimi i shërbimeve gjyqësore. Në këtë analizë duhet të merret në konsideratë edhe organizimi dhe shpërndarja e bërë sipas hartës së re gjyqësore. Referuar masave të parashikuara për këtë objektiv, mendojmë që institucione pjesmarrëse duhet të jenë gjithashtu Dhoma Kombëtare e Avokatisë (për pjesën e trajnimit të avokatëve), Shkolla e Magjistraturës dhe Gjyqësori (për pjesën e ndërgjegjësimit dhe trajnimit vazhdues të gjyqtarëve lidhur me ndihmën juridike falas).
Konkluzion:Ky objektiv është në përputhje me Qëllimin e Politikës 2. Ai është i qartë, i nevojshëm dhe realist. Sugjerojmë rishikimin e terminologjisë të përdorur për rezultatet që synohen të përmbushen me arritjen e këtij objektivi, si dhe përfshirjen nëinstitucionet pjesmarrëse edhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë (për pjesën e trajnimit të avokatëve), Shkollës së Magjistraturës dhe Gjyqësori (për pjesën e ndërgjegjësimit dhe trajnimit vazhdues të gjyqtarëve lidhur me ndihmën juridike falas).
[1]. Rezultati 2.5.1: Sistemi i ndihmës juridike parësore dhe dytësore ka funksionalitet të plotë dhe siguron akses të barabartë në drejtësi për qytetarët në të gjithë vendin (burimet njerëzore, zyrat e ndihmës juridike parësore, avokatët ofrues të ndihmës juridike dytësore; mjetet e duhura, aftësia teknike, etj.) Rezultati 2.5.2: Përmirësohen mekanizmat për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve nga organet e ZAM (ndryshimet ligjore, zhvillimi institucional dhe i kapaciteteve). Rezultati 2.5.3: Rishikimi i sistemit të tarifave gjyqësore (rritja e tarifave dhe përcaktimi i përjashtimeve nga tarifat) në mënyrë periodike për të maksimizuar aksesin në gjykatë dhe për të siguruar akses për të gjitha grupet vulnerabël dhe vendosja e sistemeve të rikuperimit të kostove për palët përdorues të gjykatave.