Rezultati 3.2.1
“Prokuroria e Përgjithshme ka mekanizma të përmirësuar për monitorimin e aktiviteteve lokale, procedura operacionale të përcaktuara, numër personeli të përshtatshëm, eficiencë dhe produktivitet të përmirësuar në hetimet kundër pastrimit të parave, zbatim të përmirësuar të procesit të hetimit, përfshirje në punën me kërkimet mbi krimet dhe punë analitike përkatëse, dhe sistem efektiv për zbatimin e udhëzimeve të PP dhe DPPSH”.
Rezultati i parë që kërkohet të arrihet lidhet me përmirësimin e punës së Prokurorisë së Përgjithshme. Reforma në drejtësi solli ndryshime thelbësore sa i takon funksionimit të sistemit të prokurorisë në tërësi, rolit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe “delegimit” të shumë kompetencave të PP të mëparshme tek KLP e sapokrijuar. Kështu,Prokuroria e Përgjithshme: propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë, me përjashtim të buxhetit të Prokurorisë së Posaçme; siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë; nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët; raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit; përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga SPAK; drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e Policisë Gjyqësore; etj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përgjegjësi të një natyre tjetër. Ai garanton pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Për të ushtruar këto funksione Rezultati 3.2.1 kërkon që PP të realizojë njëherësh dy nën-rezultate:
Nën-rezultati i parë kërkon që PP duhet të përmirësojëmekanizmat e saj matës dhe monitorues për prokuroritë pranë rretheve gjyqësore, të hartojë rregulla dhe udhëzime për zhvillimin e aktivitetit tëtyre dhe të sigurojë stafin e mjaftueshëm dhe të nevojshëm për realizimin me eficencë të aktiviteteve të saj, përfshirë ngritjen e një sistemi efikas për të kontrolluar nëse udhëzimet e saj po zbatohen apo jo nga prokuroritë. Gjithashtu, PP duhet të mbledhë e analizojë të dhëna, të cilat i shërbejnë për përcaktimin e gjendjes së kriminalitetit, llojit të kriminalitetit, ecurisë së tij, etj., në mënyrë që të përcaktohen, në mënyrë të studiuar, politikat penale që duhen ndjekur.
Lidhur me nën-rezultatin e dytë, kërkohet që PP të rrisëproduktivitetin e saj në hetimet kundër pastrimit të parave dhe të përmirësojënë tërësi procesin e hetimit. Ky nën-rezultat lidhet drejtpërdrejtë me veprimin e saj si organ që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në GjL dhe GjK. Këtu rezultati duhet të ishte formuluar pak më qartë sepse, duke qenë se i referohet vetëm PP, ai duhet t’i përmbahet përgjegjësive dhe detyrave të PP. Për pjesën e veprimit të PP si organ që heton dhe përfaqëson akuzën, duhet të dilte më e qartë se kjo është kompetencë vetëm në disa raste, të parashikuara nga ligji.
Në rastin kur nën-rezultati i dytë duhet të qëndrojë sic është, atëherë duhet që në masat e parashikuara të mos parashikohej vetëm PP, por edhe SPAK, si dhe prokuroritë e sistemit në tërësi. Në fakt, për SPAK dhe BKH janë parashikuar rezultate më vete dhe masa konkrete, siç do të shihet në vijim.
Paraprakisht, vërejmë se masat që parashikohen në funksion të këtij rezultati lidhen me rishikimin e ligjit për prokurorinë, rishikimin e akteve nënligjore që nxjerr PP (si përshembull, udhëzime të përgjithshme të detyrueshme për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, sipas kufizimeve që përcakton ligji; përcakton strukturën e përgjithshme dhe rregulloren standard të organizimit dhe funksionimit të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm[1]) dhe trajnimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore mbi ligjin e prokurorisë. Këto masa nuk e përmbushin plotësisht rezultatin pasi ato nuk përfshijnë në mënyrë të plotë strukturën e PP. Rekrutimi dhe trajnimi i stafit administrativ të PP, rritja e kapaciteteve të IT, janëgjithashtu komponentë shumë të rëndësishëm në performancën tërësore të PP dhe për to duhet të ishte parashikuar, të paktën, një masë më vete.
Konkluzion: Ky rezultat i referohet ekskluzivisht PP dhe ai do të duhej të përmbajë vetëm komponentë që lidhen me PP. Mënyra sesi është shprehur lë hapësirë për paqartësi. Megjithatë, konkludohet se interpretimi i duhur i qëllimit të këtij rezultati del duke e lidhur atë ngushtësisht me dy rolet kryesore të PP, atë të ndikimit të saj në sistemin e prokurorisë dhe, atë të organit hetues dhe përfaqësues të akuzës në cështje të caktuara.
[1]Ligj 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;