Rezultati 4.1.5
”Institucionet e tjera të drejtësisë, duke përfshirë institucionet e varësisë, të mbështetura në zhvillimin e zgjidhjeve të tyre të teknologjisë së informacionit, përfshirë koordinimin me Qendrën e Teknologjisë së Informacionit”
Për nga mënyra se si është formuluar, ky rezultat është i paqartë. Së pari,fjalia me të cilën shprehet Rezultati është e paplotë dhe nuk nxjerr të qartë cfarë pritet nga përmbushja e tij në funksion të Objektivit Specifik 4.1. Së dyti, nuk është identifikuar qartë lloji dhe natyra e mbështetjes.Gjithashtu, në të përmenden ‘institucionet e tjera të drejtësisë’ si dhe “institucionet e varësisë”, duke bërë që target grupi për këtë rezultat të jetë evaziv. Duhet saktësuar formulimi duke dhënë një orientim ose përdorur një term shoqërues për të identifikuar “institucionet e tjera” apo “institucionet e varësisë’ të cilat nuk janë të qarta. Paqartësia në formulim e këtij rezultati bën të vështirë identifikimin e masave që i shërbejnë arritjes së tij. Duket se Masat 4.1.14 dhe 4.1.15 i referohen këtij rezultati, megjithatë, të lexuara në tërësinë e tyre (Rezultati dhe Masat), nuk nxjerrin të qartë nëse “sistemi i menaxhimit të çështjeve” që do tëmbahet nga MD dhe institucionet e varësisë i referohet sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore/të prokurorisë, apo sistemi tjetër që menaxhon MD dhe institucionet vartëse të saj.
Konkluzion: Paqartësia në formulimin e këtij Rezultati (relevanca me Objektivin Specifik 4.1, nocioni i mbështetjes dhe institucionet e varësisë) e bën të vështirë identifikimin e indikatorëve që do të masin arritjen e Rezultatit.