Rezultati 1.2.3

Rezultati 1.2.3

“Strukturat e llogaridhënies (ILD)/legjislacioni i rishikuar/ndryshuar, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në rregulloret e brendshme”.

Rezultati i tretë që parashikon përmbushjen me sukses të Objektivit 1.2, të analizuar mëlart, është që ILD, pas një proçesi analize, të rishikojë legjislacionin që rregullon veprimtarinë e saj, rregulloret e brendshme të saj dhe aktet e tjera me fuqi të përgjithshme, si dhe strukturën e ILD-së, që nënkupton organizimin e saj të brendshëm.

Edhe ky rezultat ka të njëjtën përmbajtje si rezultatet që kërkohen për KLGj dhe KLP. Megjithatë, problemi i kalimit të një kohe të mjaftueshme për të bërë këtë analizë të ligjit dhe akteve nënligjore, apo strukturës dhe organikës së ILD në funksion të veprimit në transparencë, eficencë dhe llogaridhënie të këtij organi, është edhe më evident, pasi ILD është organi më i ri i formuar dhe që ende nuk është plotësuar për të qenë tërësisht efektiv[1]. Për shkak të këtyre problematikave, ILD bëri edhe propozime për ndryshime të ligjit[2], propozime të cilat nuk morën miratim për t’u përfshirë në ndryshimet që ju bë ligjit 115/2016.

E vetmja masë që parashikohet nga Plani i Veprimit në përmbushje të pjesshme të këtij rezultati është Masa 1.2.11 “Rishikimi dhe konsolidimi i rregulloreve të brendshme të ILD-së”. Të gjitha masat që parashikohen për ILD-në kanë një kohëzgjatje deri në vitin 2022, afat shumë i shkurtër ky si për të iniciuar proçesin e analizës, kur mbajmë në konsideratë se aktet e ILD kanë më pak se një vit që aplikohen, ashtu edhe për të arritur në konkluzione lidhur me efektshmërinë e tyre apo ndryshimet e nevojshme që mund të përmirësonin funksionimin e ILD-së.

Rezultati i parashikuar për ILD-nëështë një hap më tej i rezultatit të mëparshëm të vendosur në SND I (2016-2020), sipas të cilit parashikohej “Krijimi i një inspektorati të vetëm të pavarur përgjegjës për të hetuar shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për të zhvilluar shërbime të tjera inspektimi në gjykata dhe prokurori në përputhje me standardet evropiane” dhe si masë konkrete parashikohej edhe “hartimi i rregullave dhe manualeve të brendshme”. Por, vonesa në ngritjen e këtij organi dhe në funksionimin e tij, e bën të vështirë ecurinë e këtij rezultati në vitet 2021-2022.

Referuar Pasaportës së Indikatorëve të SND I një nga Indikatorët (përkatësisht nr.2) kishte të bënte me përmirësimin e administrimit të ankesave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas afateve të reja ligjore. Në këtë dokument përcaktohen edhe targetet për ILD-në si dhe metodat e verifikimit. Përkatësisht, për 2019 do të verifikoheshin procedurat e brendshme, manualet e inspektimit, mbrojtja e të dhënave dhe aksesi në publik, 10 inspektorë të punësuar, ndërtesa, etj. Si rezultat, për 2020/2021 indikatori do të ishte numri i ankesave të marra dhe të përpunuara, të cilat pjesëtohen me numrin e ankesave të marra deri në 30 nëntor të vitit përkatës. Përpunimi nënkupton: vendim përfundimtar të arsyetuar nga ILD për hapjen ose jo të hetimit, mbylljen pas verifikimit prima facie ose rrëzimin e ankesës.

Objektivat në Pasaportën e Indikatorëve kishin të bënin me sistemin e ankesave si çelësi për të kuptuar mirëfunksionimin e sistemit llogaridhënës. Kjo nënkupton pavarësi në ushtrimin e detyrës, transparencë në mënyrën se si trajtohen ankesat, efikasitet në menaxhimin e tyre, koordinim me KLGJ dhe KLP, si dhe harmonizim të procedurave midis magjistratëve gjyqtarë dhe atyre prokurorë. Për të gjitha këto nevojitet koha e duhur për të parë jetësimin e tyre. Vetëm gjatë zbatimit të sa më sipër, ILD mund të jetë në gjendje të kuptojë/vlerësojë se sa e pengon ligji të ushtrojë funksionet sipas standarteve të lartpërmendura dhe sa janë faktorë të tjerë që ndikojnë (psh. rekrutimi i inspektorëve magjistratë, sidomos gjyqtarë, që deri tani nuk kanë shfaqur interes të kandidojnë për këtë pozicion). Krijimi i një trupe profesionale inspektorësh (juristë, gjyqtarë dhe prokurorë) garanton pavarësi në ushtrimin e kompetencave, transparencë dhe efikasitet në procesimin e ankesave.

Edhe pse ekziston koherencë e sigurt, që do të thotë se aktivitetet e rradhitura janë kushte të nevojshme dhe të mjaftueshme për të arritur objektivat specifike, Objektivi Specifik 1.2krijon pjesërisht lidhje të natyrshme/harmonikeme parashikimet e SND I dhe Pasaportës së Indikatorëve të saj. Kjo është një zgjidhje e diktuar nga rrethanat pasi gjatë jetëgjatësisë së SND I, ILD nuk ishte krijuar ende dhe Objektivi Specifik, Rezultatet dhe Masat nuk arritën të jetësohen gjatë vlefshmërisë së asaj Strategjie. Në thelb ato ishin vetëm ‘parashikime në letër’. Nisur nga kjo situatë, hartuesi i Strategjisë ka menduar t’i integrojë ato parashikime në SND II, për sa kohë ka gjykuar që ato janë të vlefshme, duke ri-konsideruar/rivlerësuar disa aspekte. Rivlerësimi ka ardhur edhe si pasojë e rolit që ka luajtur vetë ILD gjatë hartimit të SND II, duke dhënë ‘input’ konkret në hartim dhe duke komentuar aspekte të saj nisur nga problematikat/sfidat që kanë lindur nga zbatimi i kuadrit ligjor. Tashmë ka një ‘zë konkret në tavolinën e Strategjisë’ që duhet marrë në konsideratë. Për më tepër vlen të theksohet që vetë ILD e ka miratuar strategjinëe saj institucionale.Ndërkohë që SND I është hartuar/konceptuar në një kohë kur ILD ekzistonte vetëm në letër dhe Objektivat, Rezultatet dhe Masat kishin karakter më abstrakt.

Edhe parashikimi paraprak i bërë nga Plani i veprimit IPA III, e parashikon përmirësimin e rregullave mbi karrierën dhe kontrollin e magjistratëve në një afat kohor deri në 2027.

Konkluzion: Parë në tërësi, edhe pse ky rezultat duket në linjë të objektivit dhe në përputhje me të dhe është në kronologji me SND I, suksesi i këtij rezultati është i diskutueshëm. Shtrirja e tij në kohë duhet të jetë më e gjatë. Bashkërisht edhe me rezultatet e tjera të analizuara për KLGj dhe KLP, vlerësohet se këto rezultate janë në funksion të arritjes së Objektivit Strategjik të vendosur. Dyshimet që mund të ekzistojnë në lidhje me rezultatet, në fakt lidhen me vetë qëllimin e Objektivit Specifik 1.2; ushtrimi i kompetencave nga institucionet në përputhje me kërkesat e zbatueshme dhe standardet evropiane (në mënyrë që ato të jenë të pavarura dhe punojnë me profesionalizëm, efikasitet dhe ruajnë standardet e llogaridhënies) nuk nënkupton domosdoshmërisht rishikimin e legjislacionit. Kjo pasi prezumohet që kuadri ligjor i miratuar në 2016/2017 ofron garancitë për pavarësi, profesionalizëm, efikasitet dhe standarde llogaridhënieje.

[1]ILD nisi nga puna vetëm në shkurt të vitit 2020 dhe ka qenë problematike bërja efektive e këtij institucioni për shkak të mungesës së inspektorëve, veçanërisht atyre magjistratë. Edhe rekrutimi i inspektorëve jo-magjistratë ka qenë i vështirë, dhe deri më tani ILD ka vendosur lejimin e kandidimit për njëmbëdhjetë kandidatë.

[2]Dy ndërhyrjet kryesore të propozura lidheshin, së pari me heqjen e raportit ndërmjet inpektorëve jomagjistratë me ata magjistratë, por duke lënë një radhë preference të atyrë që vijnë nga radhët e magjistratëve, dhe, së dyti, njehsimin e pagave të të gjithë inspektorëve bazuar në detyrën e njëjtë të cilën ata ushtrojnë dhe në garancitë e njëjta që ligji duhet të japë.