Objektivi Specifik 4.1

Objektivi Specifik 4.1

“Zhvillimi i plotë i sistemit të integruar të drejtësisë elektronike (e-drejtësia) me identifikues të unifikuar, i sistemeve të menaxhimit të çështjeve të përditësuara, regjistrimit elektronik të bazuar në internet për të treja fushat (penale, administrative, civile) dhe lidhjeve me regjistrat dhe bazat e të dhënave përkatëse kombëtare”.

Objektivi Specifik 4.1 lidhet me zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit, në fushën e drejtësisë ku progresi mbetet ende në faza fillestare. Megjithëse është formuluar në një fjali të gjatë që krijon premisa për konfuzion dhe paqartësi, kuptojmë se Objektivi orientohet në disa drejtime: Së pari, në një sistem të përditësuar të menaxhimit të çështjeve; së dyti, në regjistrimin elektronik të të dhënave gjyqësore për të tre fushat, si dhe lidhje mes regjistrave me bazën e të dhënave me qëllim zhvillimin e një sistemi të integruar të drejtësisë elektronike. Në terma praktikë kjo do të thotë ndërlidhje midis sistemeve (atij të prokurorisë dhe gjyqësor) në mënyrë që identifikimi dhe kërkimi i çështjeve (të natyrave të ndryshme) të jetë i mundshëm vetëm me ‘një clik’ dhe në kohë reale. Kjo do të sillte një sistem më efikas dhe do të shmangte kohën dhe burokracitë në komunikimin dhe ndërveprimin mes institucioneve (Gjykata, KLGJ, Prokurori, KLP). Nga këndvështrimi i ILD kjo do të thotë akses i menjëhershëm në këtë sistem të integruar dhe informacion të plotë për ecurinë e dosjes përkatëse, duke  shkurtuar kohën e komunikimit zyrtar me gjykatën/prokurorinë, dhe duke e bërë punën e ILD-së më efikase dhe efektive.

Ky Objektiv është në përputhje të plotë me Qëllimin e Politikës 4 për arritjen e një koordinimi dhe menaxhimi efikas dhe efektiv të drejtësisë.Ai adreson një problem të madh që ekziston në sistemin e drejtësisë. Sistemet elektronike të organeve/institucioneve të ndryshme (duke përfshirë gjykatat dhe prokuroritë) janë jo vetëm të vjetëruara, por nuk janë të integruara. Progresi nësektorin e teknologjisë së informacionit, si nga ana e gjyqësorit ashtu dhe prokurorisë  mbetet ende i vogël. Progres në këtë drejtim do të kemi vetëm nëse sistemet e menaxhimit të çështjeve do të zëvendësohen me të reja. Nga ana tjetër, mangësitë në gjenerimin e të dhënave statistikore të performancës ndikojnë në matjen, analizimin e rezultateve dhe adresimin e problemeve. Gjithashtu ato ndikojnë dhe në saktësinë e raportimeve që bëjnë institucionet, sipas detyrimeve që u burojnë nga kuadri ligjor në fuqi (sipas të cilit institicionet e sistemit të drejtësisë, ILD, KLP, KLGJ, PP raportojnë çdo vit në Kuvend). Ky është një Objektiv madhor që përfshin jo vetëm investime në aspektin infrastrukturor, por edhe nëburimet njerëzore. Në këtë aspekt Objektivi është aktual dhe i domosdoshëm.

Një parashikim i ngjashëm ka ekzistuar edhe në SND 1. Konkretisht, në Objektivin 7 parashikohej:‘Përmirësimi i funksionimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të saj të varësisë krejtësisht të reja apo thelbësisht të ndryshuara’. Aktivitet 7.06 i këtij Objektivi parashikonte:‘Projektimi dhe zbatimi i sistemeve të menaxhimit, aktiviteteve operacionale dhe të kontrollit dhe funksionimi financiar i MD dhe institucioneve të tjera (KLGJ, KLP, ILD, KED) për të mundësuar që ato të menaxhojnë procesin e reformës (lidhur me Objektivin 5). Ndërkohë që Aktiviteti 7.07 parashikonte: ‘Do të ofrohet mbështetje për të gjitha institucionet e reja dhe të ndryshuara me qëllim që të sigurohet zbatimi i sistemeve të reja të menaxhimit, aktiviteteve operacionale dhe të kontrollit, si dhe funksionimit financiar të MD (KLGJ, KLP, Inspektoriati i ri, Këshilli i Emërimeve) për të mundësuar që ato të menaxhojnë procesin e reformës’.

Referuar Raporteve të Monitorimit Periodik[1] të periudhave/viteve të ndryshme që janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë aktivitetet e pikës 7.06 dhe 7.07  kanë mbetur të parealizuara në kushtet kur edhe ILD është krijuar në Shkurt 2020.

Gjithashtu, Referuar Raportit të Monitorimit të Planit Strategjik të KLGJ për periudhën Korrik 2019-Korrik 2020[2], Masa 3.1 “Rritja e efikasitetit,saktësisë së të dhënave dhe efektivitetit në menaxhimin e çështjeve gjyqësore nëpërmjet zhvillimit të një sistemi elektronik të unifikuar për menaxhimin e çështjeve sipas standardeve ndërkombetare”, në kuadër të Objektivit 1: “Rritja e efikasitetit, saktësisë së të dhënave dhe efektivitetit në menaxhimin e cështjeve gjyqësore nëpërmjet zhvillimit të një sistemi elektronik të unifikuar për menaxhimin e cështjeve sipas standardeve ndërkombëtare”, është ende në proces.

Referuar Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e Kriminalitetit për vitin 2020 mbetet prioritet ende vijimi i punës së nisur lidhur me “sistemin e menaxhimit të çështjeve” (CAMS), dhe i përshtatjen e këtij sistemi sipas nevojave të organit të prokurorisë, për të mundësuar digjitalizimin, me prioritete: 7.1 Sigurimin e funksionalitetit të sistemit CAMS/modernizimin e një sistemi të ri të menaxhimit të çështjeve me teknologji të avancuara. i) Integrimi i rrjeteve; ii) Vlerësimi i kapaciteteve humane dhe teknologjike, përllogaritja e kostove dhe gjetja e financimeve, për vënien në funksionim të këtij sistemi apo në pamundësi, të një sistemi të ri të menaxhimit të çështjeve në prokurori. 7.2 Përmirësimi i mbledhjes, përpunimit dhe përftimin të të dhënave statistikore nëpërmjet një sistemi të automatizuar dhe funksional në sistemin e prokurorisë[3]

Ndërkohë nuk vërehet lidhje me Objektivat Strategjikë të vetë Planit Strategjik të KLP-së dhe ILD-së.

Si rrjedhojë mund të themi se Objektivi është në kronologji me masat dhe prioritetet e SND I, KLGJ-së dhe Prokurorisë së Pergjithshme.

Në lidhje me institucionet pjsëmarrëse sugjerojmë që të shtohet edhe Prokuroria, sa kohë do jetë pjesë e sistemit të integruar dhe mbajtjes së të dhënave, apo dhe Qendra e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, misioni i së cilës është hartimi i politikave, për sistemin e teknologjisë së informacionit në sistemin e drejtësisë dhe garantimi i funksionimit efektiv të sistemeve të teknologjisë së përpunimit të informacionit dhe të të dhënave.

Konkluzion: Objektivi Specifik është ambicioz, por i domosdoshëm për të integruar të dhënat midis sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë, në kuadër të një koordinimi dhe bashkëpunimi efikas ndërinstituciona si dhe matjen më të mirë të performancës së këtyre institucioneve. Një sistem i tillë ndikon në rritjen e eficiencës së sistemit gjyqësor, të prokurorisë, si dhe sistemit llogaridhënës. Objektivi është i domosdoshëm në përmbushje të Qëllimit të Politikës 4, aktual për nga rëndësia që mbart dhe realist. Sugjerojmë riformulimin e tij në funksion të qartësisë.

[1]https://www.drejtesia.gov.al/plani-i-veprimit-te-strategjise-ndersektoriale-te-drejtesise/

[2]http://klgj.al/ëp-content/uploads/2021/06/Raport-i-Monitorimit-te-Planit-Strategjik_korrik-2019-korrik-2020.pdf, fq 23, fq 59

[3] Raport i prokurorit të përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2020https://www.parlament.al/Files/Kerkese/20210518105256Raporti_Vjetor_2020_Kuvendit_Kriminaliteti.pdf, fq 263