Masa 2.5.1

Masa 2.5.1

“Informimi dhe rritja e ndërgjegjësimit të subjekteve të ligjit “Për ndihmën juridike falas” për të drejtat e tyre për ndihmë dhe akses në institucione, të cilat mund të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.”

Rritja e ndërgjegjësimit publik mbi ofrimin e ndihmës juridike dhe kushtet për përftimin e saj përbën detyrim ligjor (neni 8 i ligjit 111/2017) dhe njëkohësisht premisë për funksionimin e sistemit të ndihmës juridike dhe forcimit të aksesit të qytetarëve në drejtësi. Në këtë këndvështrim masa është e nevojshme për të arritur Rezultatin 2.5.1 dhe në përputhje me synimet e Objektivës 2.4 për rritjen e aksesit në drejtësi.

Referuar Raportit Vjetor mbi veprimtarinë e DNJF për vitin 2020, konstatohet se kjo drejtori i ka kushtuar një vëmendje të shtuar informimit mbi sistemin e ndihmës juridike falas duke u ndalur në hartimin dhe publikimin e materialeve ndërgjegjësuese. Megjithatë, si prioritet në fokus të qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore parashikohet të jetë ndërgjegjësimi dhe edukimi i qytetarëve për ndihmën juridike të garantuar nga shteti dhe kushtet e përfitimit, si një ndër faktorët që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e numrit të rasteve të trajtuara. Në këtë aspekt, kjo masë vjen si përgjigje e problematikave të hasura në terren në lidhje me mungesën e informacionit mbi sistemin e ndihmës juridike.Në këtë aspekt, masa është aktuale dhe në koherencë me realitetin.Një masë e ngjashme gjendej edhe në SND I, nën Aktivitetin 3.03 f) ‘Fushatë ndërgjegjësimi’ midis Ministrisë së Drejtësisë, Dhomës së Avokatisë, dhe KLGJ’. Fakti që kjo masë është përfshirë sërish tregon se është ndërmarrë ose realizuar jo-mjaftueshëm në këtë drejtim dhe një parashikim i tillëështë në përputhje me vetë konkluzionet dhe rekomandmet e DNJF.

Konkluzion: Ndërgjegjësimi i popullsisëmbi sistemin e ndihmës juridike dhe aspekte të tjera të aksesit në drejtësi është një masë shumë e rëndësishme në funksion të Objektivit Strategjik për të pasur efektivitet nësistemin e ndihmës falas dhe  akses në drejtësi.Masa është formuluar qartë, është në koherencë dhe aktuale.