Objektivi specifik 3.2

Objektivi specifik 3.2

“Një sistem prokurorie efikas dhe proaktiv operacional sipas standardeve evropiane dhe hetim efikas dhe ndjekja e korrupsionit dhe e krimit të organizuar”.

Objektivi synon që prokuroria të përmbushë misionin e saj në funksion të hetimit të gjithanshëm, të pavarur dhe të shpejtë, e vecanërisht t’i kushtojë një rëndësi të posaçme rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra, fillimisht, në këto raste, prokuroria nxitet të bëjë një hetim proaktiv, që nënkupton: së pari, atë lloj hetimi ku procesi i mbledhjes së provave kryhet njëkohësisht me lindjen e dyshimit për kryerjen e veprës së dyshuar penale; së dyti, atë lloj hetimi që niset nga prokurorinë mungesë të një kallëzimi; dhe së treti, çdo hetim i cili është dukshëm më i zgjeruar se kallëzimi origjinal. Mëtej, prokuroria nxitet të punojë vecanërisht mbi cështje të ndërlikuara, për shembull, ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i lartë publik, cështjet të cilat kanë një numër të madh të pandehurish, ose një numër të madh veprash penale që passjellin pasoja të rënda për jetën dhe pasurinë e personave ose shkaktojnë dëm të madh ekonomik, të cilat rezultojnë në konfiskimin e aseteve me vlera të mëdha, etj.

Gjithashtu, që hetimi të jetë efikas, kërkohet që të përdoren teknika të posacme të hetimit, sic janëmetodat speciale të hetimit sipas Kodit të Procedurës Penale dhe parashikimeve të tjera ligjore, përdorimi i të cilave nuk është i autorizuar për të gjitha llojet e veprave penale. Të tilla janë veprimet simuluese, infiltrimi në përbërje të grupit kriminal, dorëzimi i kontrolluar, mbrojtja e dëshmitarit, si dhe teknika të tjera si: vendimet për kontroll në rastet e hetimeve të veprave penale të korrupsionit; sigurimi me anë të letërporosisë i provave që gjenden jashtë vendit; sigurimi i provave kompjuterike; përdorimi i provave mjeko-ligjore (ADN, etj.); përdorimi i ekspertizës kontabël; përgjimi elektronik; marrja dhe përdorimi i informacioneve nga vende të huaja; përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose bashkëpunimi në marrëveshjet e fajësisë; etj.

Thelbësore është që ky hetim të jetë i suksesshëm, pra që procedimi të dërgohet për gjykim, e në përfundim të tij të jepet fajësi ndaj të pandehurit, ose prokurori të arrijë të tregojë se veprimet hetimore kanë qenë shterruese pavarësisht vendimit të gjykatës.

Konkluzion: Ky objektiv është aktual dhe i realizueshëm brenda kohëzgjatjes së SND II për shkak të karakterit të tij thelbësor për shtetin shqiptar, për besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, për krijimin e kulturës së ndëshkimit në vend të asaj të pandëshkueshmërisë, si dhe për procesin e integrimit të vendit në BE. Rezultatet dhe masat mbi të cilat mendohet që të realizohet ky objektiv do të analizohen në vijim dhe në fund do të mund të konkludohet nëse, në tërësinë e tyre, ato e përmbushin ose jo objektivin. Një indikator i vlefshëm për matjen e rezultateve në drejtim të operacionalitetit proaktiv të prokurorisë do të ishte “% e rasteve të hetimeve proaktive në krahasim me rastet e referuara nga policia apo kallëzimet në prokurori”.