Qëllimi i Politikës 2

Qëllimi i Politikës 2

Fuqizimi i transparencës, efikasitetit të gjyqësorit dhe aksesit në drejtësi në përputhje me kërkesat kushtetuese, ligjore dhe standardet evropiane”.

Qëllimi i Politikës 2 lidhet me efektin që ka sjellë në gjyqësor reforma në drejtësi. Meqënëse në Qëllimin e Politikës 1 është siguruar një mekanizëm i ri, i ndryshëm nga i mëparshmi, i analizuar si problematik pasi nuk siguronte paanësi, eficencë, transparencë, llogaridhënie, etj., mekanizmi i ri, nëpërmjet institucioneve të reja dhe ligjeve të reja, do të duhet të ketë efekte pozitive në sistemin gjyqësor.

Këto efekte të dëshiruara shprehen qartë në Qëllimin e Politikës 2 dhe lidhen me performancën e gjyqësorit në tërësi. Gjyqësori do të duhet të ndërtojë një marrëdhënie sa më transparente me publikun dhe përdoruesit e tij, të jetë i aksesueshëm për palët, të veprojë shpejt në kohë dhe të jetë efikas. Gjithashtu, Qëllimi i Politikës 2  orienton se në përmbushjen e këtyre standardeve do të duhet të merret parasysh ligji shqiptar dhe standardet evropiane.

SND I parashikonte një objektiv strategjik thuajse të njëjtë, Objektivi Strategjik 3: “Përmirësimi i operimit të sistemit gjyqësor duke forcuar efikasitetin, transparencën dhe qasjen e tij në përputhje me standardet evropiane”. Ky parashikim duket se përshtatet plotësisht me linjën e ndjekur nga Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) 2015-2020, sipas të cilës, gjyqësori duhet të ishte transparent dhe duhet të fitonte besimin e publikut. Megjithatë, SND I, nën këtë objektiv strategjik, parashikonte edhe masa që lidheshin me aksesin e publikut[1]. Ndërkohë që në Strategjinë e re është hartuar një objektiv specifik më vete, Objektiv Specifik 2.3, i cili lidhet vetëm me rritjen e profesionalizmit të gjyqësorit. Pra, duket se në Strategjinë e re, kërkesa qëështë shtuar ndaj gjyqësorit lidhet me rritjen e aftësisë profesionale të tij, gjë që duhet të ishte shprehur edhe në formulimin e Qëllimit të Politikës 2. Kjo është një kërkesë tejet e rëndësishme dhe me pasoja afatgjata dhe parashikimi i saj në mënyrë të shkruar, e më tej zbërthimi i saj në objektiva dhe masa konkrete, është i domosdoshëm.

Rëndësia e kësaj politike vihet re edhe në përcaktimin e pesë objektivave specifikë[2], katër prej të cilëve do të analizohen në vijim për shkak të rëndësisë së tyre për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ky studim nuk ka marrë në analizë vetëm objektivin që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, për shkak të karakterit të saj të veçantë jashtë sistemit gjyqësor tre shkallësh dhe rregullave të veçanta që lidhen me gjykimin në GjK.

Nisur nga mënyra se si është formuluar, duket se fokusi i këtij qëllimi politik është ‘gjyqësori’ dhe jo‘sistemi i drejtësisë’, edhepse ekziston njëlidhje me prokurorinë dhe organizmin e saj, si përshembull në rastin e miratimit të hartës gjyqësore, e cila impakton drejtpërdrejtë edhe funksionimin e prokurorisë.

Konkluzion: Qëllimi i Politikës 2 ka një peshë të vecantë në Strategji dhe një rëndësi të madhe për këtë studim, për shkak të rezultateve konkrete që kërkon përmbushja e tij. Për këtë arsye, sugjerohet të plotësohet formulimi i tij me kërkesën për profesionalizëm të gjyqësorit.

[1]SND I, në objektivin strategjik 3, parashikonte disa masa: ‘3.01.Përmirësimi i legjislacionit me qëllim përmirësimin e efikasitetit të procedurave gjyqësore në veçanti nëpërmjet: -përmirësimit tësistemit të njoftimeve;-sigurimit të mjeteve që parandalojnë shtyrjen e gjykimeve,- futjes së procedurave të përshpejtuara; – kritereve të filtrimit; -kërkimit të arsyetimit në të njëjtën kohë me vendimin e gjykatës / me shpalljen e vendimit; 3.02.Krijimi i një sistemi të arsyeshëm dhe proporcional të tarifave gjyqësore për të siguruar financimin e shërbimeve të drejtësisë, si dhe garantimin e aksesit në gjykatë; 3.03. Krijimi i një sistemi të drejtë dhe funksional të ndihmës juridike falas për individët dhe grupet në nevojë; 3.04. Përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet gjykatës dhe medias dhe sigurimi i aksesit të publikut tek informacioni në rastet e interesit publik”;

[2]Politika 2, Objektiv specifik 2.1 “Objektiv Specifik 2.1. Rishikimi i kuadrit ligjor në lidhje me gjyqësorin sipas nevojës për të përmirësuar më tej aftësinë profesionale, aksesueshmërinë, transparencën dhe efiçencën”; Objektiv specifik 2.2 “Fuqizimi institucional dhe zhvillimi i kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese (GJK), sigurimi i burimeve të përshtatshme dhe funksionimi i saj profesional, në mënyrë transparente dhe efektive”; Objektiv specifik 2.3 “Rritja e efikasitetit dhe aftësisë profesionale të sistemit të trajnimit i cili siguron avancimin drejt praktikave evropiane dhe cilësisë në fushën e drejtësisë, duke siguruar një numër të përshtatshëm të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë të trajnuar për sistemin e drejtësisë në Shqipëri”; Objektiv specifik 2.4 “Përmirësimi i sistemit gjyqësor me qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të të gjitha niveleve të sistemit gjyqësor, duke përfshirë GJL-në, dhe sigurimi i ofrimit të drejtësisë transparente, pa vonesa dhe të aksesueshme për qytetarët” dhe Objektiv specifik 2.5 “Aksesi efektiv në drejtësi i siguruar nëpërmjet ndihmës juridike, zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve dhe tarifave gjyqësore të përshtatshme”.