Objektivi Specifik 4.4

Objektivi Specifik 4.4

Përditësimi i kuadrit ligjor dhe kapaciteteve të MD-së dhe përmirësimet në fushën e bashkëpunimit ligjor ndërkombëtar dhe përgatitja e Shqipërisë për anëtarësimin në BE me anë të harmonizimit të legjislacionit shqiptar me acquis e BE dhe aktet e tjera të integrimit me BE dhe shtetet anëtare në fushën e drejtësisë.”

Ky objektiv është i orientuar në dy drejtime. Së pari, në përmirësim të kuadrit ligjor dhe rritje të kapaciteteve të MD në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe, së dyti, në harmonizimin e legjislacionit me acquis dhe akte të tjera të BE për të përgatitur vendin për fazën e integrimit në BE. Ky objektiv, është në koherencë me Qëllimin e Politikës 4, të cilat i referohen menaxhimitefikas dhe efektiv të sistemit të drejtësisë në të gjithë institucionet e sektorit.

Megjithëse nuk rezulton e qartë nga formulimi i Objektivit, referuar masës 4.4.1 dhe 4.4.2, kuptojmë që pjesa e parë e tij i referohet  përmirësimit të legjislacionit dhe kapaciteteve të MD-së lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale. Nëse e kuptojmë drejt dhe ky është qëllimi i Objektivit, rezulton se me ligjin Nr. 97/2021 janë parashikuar shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 193, Datë 3.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”[1]. Në këtë aspekt sugjerojmë që të rishikohet ky Objektiv në lidhje me pjesën e përmirësimit të legjislacionit, i cili ka më pak se tre muaj qëështë ndryshuar në drejtim të përmirësimit të procedurave që ndiqen në rastet e marrëdhënieve juridiksionale, duke e sjellë në përputhje me konventat e fushës. Objektivi mund të fokusohet në plotësimin e tij me akte nënligjore për miratimin e të cilave Ligji lë afat prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e tij.

Ndërkohë, duke qenë se marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja është një ndër fushat që mbulon MD, rritja e kapaciteteve të MD-së në lidhje me bashkëpunimin ligjor ndërkombëtar, si dhe përmirësimet e fundit të legjislacionit shihen të nevojshme dhe aktuale.

Pjesa tjetër e këtij Objektivi evidenton të nevojshëm vijimin e mëtejshëm të harmonizimit të legjislacionit vendas me Acquis, si një domosdoshmëri në kuadër të procesit të integrimit në BE. Ky është një proces i vazhdueshëm, ku për çdo akt ligjor të miratuar shihet përputhshmëria me Acquis-në e fushës dhe hartimi i tabelës së përputhshmërisëqëështë një detyrim ligjor. Sa kohë Shqipëria vijon përmbushjen e të gjitha detyrimeve që i rrjedhin nga MSA dhe fazën e përgatitjes për anëtarësim në BE, ky objektiv mbetet aktual. Ndërkohë shihet e nevojshme që në këtë fazë të vlerësohen kapacitetet në këtë drejtim dhe të investohet në drejtim të stafeve dhe personave përgjegjës për këtë proces. Kjo pjesë e Objektivit afekton, veç MD-së,  MEPJ-në, dhe  të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, si dhe ato të pushtetit ekzekutiv (Ministritë dhe Këshillin e Ministrave).  Objektivi Specifik 4.4 është hartuar rishtazi për efekt të SND II dhe nuk ka qenë i përfshirë në SND I.

Konkluzion: Objektivi Specifik 4.4 është në harmoni me Qëllimin e Politikës 4. Sugjerojmë riformulimin e tij në funksion të saktësimit të terminologjisë dhe qëllimit të tij, si dhe rishikimin e pjesës së përmirësimit të legjislacionit lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar, i cili rezulton i ndryshuar rishtazi.

[1]Shih LIGJ Nr. 97/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 193, datë 3.12.2009 “për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, https://www.parlament.al/Files/ProjektLigje/20210714135014ligj%20nr.%2097,%20dt.%207.7.2021.pdf