Masa 2.4.5

Masa 2.4.5

“Miratimi dhe zbatimi i hartës së re gjyqësore”.

Kjo masë, në zbatim të ligjit 115/2016,  nënkupton miratimin e një vendimi nga Këshilli i Ministrave bazuar në bashkëpropozimin e KLGj-së dhe MD-së. Një ndër çështjet më të rëndësishme që zgjidh Këshilli i Lartë Gjyqësor është përcaktimi i numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve që nevojiten në Republikën e Shqipërisë dhe vlerësimi i organizimit të rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave, ose thënë ndryshe, miratimi i hartës gjyqësore. Kjo është një vendimarrje tekniko-politike me efekte shumë të mëdha në eficencën e gjyqësorit dhe aksesin në drejtësi të qytetarëve shqiptare.

Miratimi dhe zbatimi  i hartës së re gjyqësore është masë e domosdoshme në funksion të arritjes së Rezultatit 2.4.1 dhe 2.4.2 dhe Objektivit Specifik 2.4. Harta gjyqësore përbën një nga cështjet më të rëndësishme të sigurimit të efektshmërisë dhe eficiencës së gjykatave. Sfida në hartimin e kësaj harte, në përputhje me nevojat aktuale të gjyqësorit, qëndron në gjetjen e balancës së arsyeshme midis mirëfunksionimit me efikasitet të gjykatave dhe aksesit të publikut. Ajo kërkon një studim të kujdesshëm të gjendjes së gjykatave, dhe këtu i referohemi fluksit të çështjeve, çështjeve të prapambetura, vendimeve të dhëna, numrit të gjyqtarëve, numrit të personelit ndihmës, infrastructures së gjykatës, buxhetit, etj. Nga ana tjetër, me qëllim mos- cënimin e aksesit në drejtësi duhet mbajtur parasysh popullsia e rajoneve apo rretheve gjyqësore ekzistuese të cilat mund të preken nga riorganizimi, trendet e zhvillimit ekonomik tësecilit rajon; cilësia e infrastruktures, hekurudhore dhe automobilistike, largësia dhe kostot financiare të transportit, aksesi dhe niveli i përdorimit të teknologjisë së informacionit, mundësinë e përfitimit nga shërbimet e ndihmës ligjore falas, etj.

Analiza për hartimin e hartës duhet të mbajë në konsideratë dhe ndryshimet e fundit të bëra në paketën e Reformës në Drejtësi dhe që prekën kompetencat e gjykatave, ndryshuan përbërjet e trupave gjykues, duke ulur numrin e gjyqtarëve që nevojiteshin para ndryshimeve, dhe ndryshuan procedurat e gjykimit, duke kaluar një numër të madh të rasteve në dhomë këshillimi, të cilat synonin efikasitetin dhe eficiencën e gjyqësorit.

Kjo masë ka qenë e parashikuar në Aktivitetin 1.04 ‘Riorganizimi i hartës gjyqësore dhe prokuroriale, si dhe e autoriteteve të tjera hetimore dhe shpërndarja e gjykatave, në përputhje me ndarjen e re territoriale, numrin e popullsisë dhe bllokimi i çështjeve gjyqësore, me qëllim forcimin e rolit dhe funksionimit të gjykatave dhe për të siguruar aksesin në drejtësi’, të Objektivit 1 (shiko më sipër) të SND I. Gjithashtu kjo masë ka qenë parashikuar në masat në zbatim të Synimit 1 Përshpejtimi i Reformës së Pushtetit Gjyqësor dhe Akordimit të Burimeve” të parashikuar në Planin Strategjik të KLGJ 2018-2020. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar katër vite nga miratimi i ligjeve të Reformës, harta ende nuk është miratuar, megjithë diskutimet që janë bërë për realizimin e saj.  Parashikimi i kësaj mase sigurisht qëështë i domosdoshëm. Ndërkohë qëështë një proces imediat, duket sikur përfshirja në SND II, krijon premisën se ky proces do të vazhdojë të kërkojë kohë.

Masa mbetet aktuale sa kohë që ende nuk është miratuar dhe është në fazën e një drafti të propozuar nga KLGJ. Gjithashtu kjo masë shihet e nevojshme me qëllim optimizimin e burimeve njerëzore dhe financiare, rritjen e eficiencës dhe efikasitetit së gjykatave, si dhe minimizimin e kostove dhe pasojave të rivlerësimit kalimtar, pa cënuar këtu aksesin në drejtësi. Në këtëaspekt, kjo masëështë e domosdoshme për arritjen e rezultateve të sipërpërmendura 2.4.1 dhe 2.4.2.

Të gjitha vendet e BE-së që kanë miratuar harta të reja gjyqësore janë përballur me këtë sfidë. Masa është e formuluar qartë dhe krijon lidhje të natyrshme me Masën 2.4.2.

Konkluzion: Masa është e përshtatshme për të realizuar Objektivin Specifik 2.4. Ajo është formuluar qartë, dhe është aktuale dhe realiste. Miratimi dhe zbatimi i hartës gjyqësore mbetet ‘çelësi kryesor’ që garanton rritje të eficiencës dhe efektivitetit në dy shkallët e para të sistemit gjyësor, duke ruajtuar të pacënuar aksesin në gjykata.