Rezultati 1.3.2
“Kapacitetet (duke përfshirë proceset, aftësitë dhe menaxhimin) dhe burimet (financiare, pajisje dhe infrastrukturën) e KLP-së janë të përshtatshme për të zbatuar aktivitetet e saj, dhe KLP emëron, promovon dhe transferon numrin e kërkuar të prokurorëve dhe/ose të këshilltarëve ligjorë sipas rregullave dhe standardeve të kërkuara dhe të miratuara.”
Ky rezultat mban parashikime të njëjta me Rezultatin 1.3.1, dhe ka në fokus KLP-në. Ai prezumon se me përmbushjen e Objektitivit 1.3, për pjesën e KLP, rezultati i pritshëm do të orientohet në dy drejtime. Së pari, do të kemi të bëjmë me një institucion të konsoliduar, me kapacitete dhe burime të nevojshme për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive. Së dyti, në funksion të kësaj premise, kompetencat që i janë dhënë këtij institucioni në raport me prokurorinë do të ushtrohen sipas standardeve përkatëse të fushës.
KLP-ja është institucion funksional prej vitit 2018, në konsolidim e sipër të kapaciteteve dhe performancës së saj. Ky institucion është drejt finalizimit të plotë të bazës ligjore për emërimin, transferimet, promovimet, matjen e performancës së prokurorëve, procedimeve disiplinore në sistemin e prokurorisë[1]. Gjithashtu transparenca në vendimmarrje, vlerësohet si një ndër arritjet më të rëndësishme të këtij institucioni. Në vijim të punës së deritanishme, përgjatë kohëzgjatjes së SND II, pritet rritja e kapaciteteve dhe zbatimi i përgjegjësive në raport me prokurorinë me paanësi, bazuar në parimet e meritokracisë. Kjo do të mundësojë arritjen e objektivit për fuqizimin e këtij organi dhe veprimin në përputhje me standardet e fushës. Për këtë Rezultati 1.3.2 është në përputhje me Objektivin 1.3, i pritshëm dhe në koherencë me realitetin.
Ky rezultat është në vijimësi të rezultateve të synuara nga SND I dhe në Planin e Veprimit të SND I për vitet 2019–2021 të SND 1 (konkretisht rezultateve tëmasës 1 të nënobjektivit 1/a, si dhe masës 1 të nënobjektivit 1/b.)
Po kështu, rezultati është rrjedhojë logjike me rezultatet e synuara të Programit 1 “Administrimi i karrierës së prokurorëve bazuar në performancën profesionale të secilit” parashikuar nga Plani Strategjik i KLP për vitin 2021-2024.
Sa i takon formulimit, vlen i njëjti sugjerim si për rezultatin më sipër. Mbeten për t’u qartësuar elementët e përcaktuar si komponentë përbërës të kapacitetetit të institucionit.
Lidhur më këtë Rezultat, SND II nuk përmban masë konkrete që ndikon në rritjen e kapaciteteve apo lidhur me burimet e KLP-së. Edhe në këtë rast, si për KLGj-në, e vetmja masë e parashikuar i referohet asaj 1.3.1 “Përfundimi i procedurave të emërimit, promovimit, transferimit të magjistratëve të diplomuar nga SHM”. KLP, megjithëse ka parashikuar në Planin Strategjik të saj si rezultat të pritshëm “Administrimin e karrierës së prokurorëve bazuar në performancën profesionale të secilit”, nuk ka të parashikuara masa konkrete që lidhen drejtpërdrejt me rritjen e kapaciteteve apo burimeve. Për këtë arsye, duhet një koordinim me KLP, mbi masat që do duhet të ndërmerren për realizimin me sukses të të gjithë komponentëve të këtij rezultati.
Ndërkohë vjen i njëjti sugjerim si më sipër mbi indikatorët e matjes së Rezultatit 1.3.2. SND II, aktualisht nuk ka të përcaktuar indikatorë për matjen e këtij rezultati. Edhe në këtë rast mund të shërbejë si indikator: “% e prokurorëve që besojnë se ata janë emëruar / ngritur në detyrë bazuar në meritokraci dhe sistemin e karrierës”, i cili, lidhur me pjesën e prokurorisë, do të jepte në mënyrë sasiore dhe cilësore perceptimin mbi arritjen e rezultatit për pjesën e zbatimit të standardeve në ushtrimin e veprimtarisë së saj dhe do e bënte atë më realist. Për të matur burimet e përshtatshme financiare një indikator mund të ishte “% e buxhetit të shtetit dedikuar KLP në raport me projektbuxhetin e propozuar prej vetë institucionit”. Për pjesën e matjes së rritjes së kapaciteteve (aftësitë) si indicator mund të shërbente “% e këshilltarëve/administratës së KLP-së që janë trajnuar mbi detyrat e tyre funksionale”.Ndërkohë indikatorë të tjerë, që do të tregojnë shkallën e përmbushjes së këtij rezultati, do të jenë në varësi të masave të cilat duhet të parashikohen për rritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës.
Konkluzion: Rezultati është i pritshëm dhe i përgjigjet objektivit 1.3. Ai duhet të qartësojë elementet që nënkuptojnë kapacitetet, me qëllim kuptimin më të qartë të tij, si dhe për identifikimin e masave dhe indikatorëve për matjen e tyre, të cilat do ta bënin këtë rezultat realist. Gjithashtu hartuesit duhet të konsultojnë me KLP masat që do të shërbejnë për arritjen e këtyre rezultateve. Gjithashtu, sugjerojmë që për monitorimin e këtij rezultati të përfshihen si indikatorë: “% e prokurorëve që besojnë se prokurorët janë emëruar / ngritur në detyrë bazuar në meritokraci dhe sistemin e karrierës”, “% e buxhetit të shtetit dedikuar KLP-së në raport me projektbuxhetin e parashikuar dhe propozuar prej vetëinstitucionit”, si dhe “% e këshilltarëve/administratës së KLP-së që janë trajnuar mbi detyrat e tyre funksionale”.
[1]Shih Raportin Vjetor të KLP për vitin 2020 të KLP, fq 9-10