Objektivi Specifik 1.3

Objektivi Specifik 1.3

Fuqizimi dhe konsolidimi i organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet evropiane, nëpërmjet krijimit dhe zhvillimit të kapaciteteve, që të kryejnë aktivitetin me pavarësi, efiçencë dhe standarde profesionale, dhe ofrimi i shërbimit të institucioneve të qeverisjes në drejtësi përmbush rregullat dhe standardet përkatëse.

Objektivi 1.3 është në përputhje me Qëllimin e Politikës 1. Madje në dukje është objektivi që lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me përmbushjen e kësaj  politike.

Objektivi përfshin veprimtarinë e tre institucioneve, përkatësisht KLGJ, KLP dhe ILD. Ai ka në fokus kryesor fuqizimin/konsolidimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë sipas standardeve evropiane. Ky fuqizim do të orientohet në dy drejtime: Së pari, krijimin dhe zhvillimin e kapaciteteve për kryerjen e veprimtarisë së  këtyre institucioneve me pavarësi, eficencë dhe standarde profesionale. Së dyti, shërbimet që këto institucione ofrojnë në respektim të kompetencave të tyre, për gjyqësorin dhe prokurorinë, të përmbushin rregullat dhe standardet e fushës respektive.

Parakusht për funksionimin me pavarësi, eficencë të institucioneve të qeverisjes së drejtësisë, si dhe për ofrimin nga ana e tyre të shërbimeve sipas standardeve është konsolidimi i tyre. Ky i fundit  nënkupton njëkohësisht si burime të duhura financiare dhe infrastrukturore, ashtu edhe kapacitete të përshtatshme njerëzore për zhvillimin sipas standardeve të shërbimeve për administrimin dhe  menaxhimin e sistemit gjyqësor, dhe atë  të prokurorisë. Kuptohet se sa më të konsoliduara të jenë institucionet aq më shumë rriten garancitë që ato do të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur, me eficiencë dhe në përputhje me standardet më të mira profesionale. Për rrjedhojë, edhe ushtrimi  kompetencave të dhëna nga Kushtetuta dhe ligji për këto organe si emërimet, promovimet, transferimet, verifikimet, procedimet disiplinore dhe inspektimet, do të jenë pasojë e një procesi meritokracie, duke ndikuar në rikthimin e besimit të publikut në sistem.

Ky Objektiv rrit besueshmërinë në veprimtarinë e këtyre institucioneve. Pavarësia dhe paanësia në zbatimin e legjislacionit mbi emërimin, transferimin dhe promovimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë, si dhe transparenca në procedurat e aplikuara, do të rriste besimin tek KLGJ dhe KLP. Nga ana tjetër, operimi i këtyre organeve në përputhje me standardet e fushës, do të kishte si produkt final vetë rritjen e eficencës së sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.  Gjithashtu, hetimet që kryhen nga ILD duhet të jenë tërësore, të plota, të bazuara në fakte dhe prova, si dhe transparente. Ato duhet të kryhen të pa-ndikuara nga influenca të jashtme apo të brendshme, duke bërë vlerësim sa më objektiv të situatës. Vetëm të gjitha këto së bashku do të ndikonin në besimin e qytetarëve në këto institucione dhe në vetë sistemin e  drejtësisë. Pra, do të mund të kishim dhe realizimin e një prej qëllimeve kryesoret të Reformës në Drejtësi.

Objektivi  është formuluar në një fjali të vetme që krijon premisa për paqartësi. Në këtë aspekt, sugjerojmë shmangien e një nga termave fuqizim/konsolidim, sa kohë mbartin të njëjtin kuptim. Gjithashtu sugjerojmë që termi “krijimi dhe zhvillimi i kapaciteteve” të rishihet, pasi sa kohë institucionet janë ngritur e janë funksionale, faza e krijimit të kapaciteteve duket  të jetë tejkaluar dhe, në këtë moment, më tepër kemi të bëjmë me zhvillim të mëtejshmëm e rritje të kapaciteteve. Në funksion të qartësimit të gjuhës mund të shihet dhe pjesa “ofrimin e shërbimit të institucioneve të qeverisjes në drejtësi përmbush rregullat dhe standardet përkatëse”, sa kohë qw nuk del shumw qartw ndryshimi i saj me pjesën e dytë të fjalisë (“të kryejnë aktivitetin me pavarësi, efiçencë dhe standarde profesionale”). Qartësimi i gjuhës do të bënte më të kuptueshëm edhe vetë Objektivin në raport me rezultatet e pritshme prej tij apo masat respektive.

Objektivi ka relevancë në raport me nevojat aktuale dhe të ardhmen e afërt të sistemit të drejtësisë. Aktualisht jemi në fazën kur institucionet janë ngritur, kanë infrastrukturë dhe burime, si dhe, në një masë të konsiderueshme, kanë plotësuar bazën e tyre ligjore, si përsa i përket rregullave të funksionimit të tyre, ashtu edhe në raport me rolin dhe kompetencat që kanë kundrejt gjyqësorit dhe sistemit të prokurorisë. Në këtë fazë, i rëndësishëm është konsolidimi i tyre nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve, plotësimit me burime aty ku ka nevojë për KLGJ, KLP, ILD, si dhe aplikimi me paanësi, pavarësi dhe transparencë i rregullave mbi emërimet, promovimet dhe transferimet, etikën profesionale, procedimet disiplinore, inspektimet, etj. Realizimi i këtij objektivi brenda kohëzgjatjes së Strategjisë vlerësohet si realist dhe lidhet me pritshmëritë e publikut për një sistem drejtësie të pavarur dhe cilësor.

Më tej konstatohet që ky objektiv specifik ka qenë pjesërisht i tillë  tek SND I. Konkretisht, Objektivi 1 parashikonte: Forcimi i pavarësisë, efikasitetit, efektshmërisë dhe llogaridhënies së institucioneve të sistemit të drejtësisë. Në thelb, të dyja formulimet, si e Objektivit 1.3 tek SND II, ashtu edhe ajo e  Objektivit 1 tek SND I nënkuptojnë të njëjtën gjë, pavarësisht se SND I përdorte një term më gjithëpërfshirës. Për rrjedhojë, ky mbetet një objektiv nëharmoni me nevojat dhe në vijimësi të politikave në sistemin e drejtësisë.

Gjithashtu, Objektivi Specifik 1.3 është edhe në koherencë me dokumentet strategjike të vetë organeve të përfshira në të: KLGJ, KLP dhe ILD.

Ai përkon me Planin Strategjik të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për Sistemin Gjyqësor 2018 – 2020, konkretisht me Synimin 2 dhe 4 të tij, të cilët parashikojnë si objektiva të KLGJ-së, përkatësisht “Përmirësimi i standardeve të ekselencës gjyqësore, zbatimi dhe monitorimi i zbatimit të tyre në praktikë” dhe “Fuqizimi i kapaciteteve të brendshme të KLGJ-së.”

Koherencë vërehet edhe midis këtij objektivi dhe objektivit të parashikuar në Programin 1 të KLP-së: Administrimi i karrierës së prokurorëve bazuar në performancën profesionale të secilit, si dhe nw Programin 3: Përgjegjshmëria e prokurorëve e garantuar përmes sistemit disiplinor  të “Planit strategjik 2021 – 2024 për Këshillin e Lartë të Prokurorisë”.

Vërehet gjithashtu një lidhje edhe me Planine Veprimit dhe PlaninStrategjik të Zyrës së ILD-së 2020-2022, konkretisht Objektivi Strategjik 1, i cili parashikon: ‘Fuqizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në mënyrë të pavarur, eficiente dhe profesionale’; si dhe me Objektivin 2:  ‘Zhvillimi i procesit të verifikimit, hetimit disiplinor dhe inspektimit në përputhje me parimet e procedimit disiplinor dhe standartet ndërkombëtare’.

Të gjitha këto Objektiva të sipërcituara shkojnë në të njëjtën linjë me Objektivin Strategjik të SND II. Kjo nënkupton se është një objektiv i përbashkët, puna për arritjen e të cilit është në vijimësi.

Ky objektiv do të finalizohet në 3 rezultate të pritshme, të cilat do të analizohen në vijim dhe që janë në koherencë me të. Me realizimin e objektivit do të mundësohet që së pari KLGJ, KLP dhe ILD të konsolidohen, me kapacitete dhe burime të nevojshme për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive, dhe së dyti, në funksion të kësaj premise, kompetencat e tyre në raport me gjyqësorin dhe prokurorinë të ushtrohen sipas standardeve përkatëse të kërkuara.

Ajo që vërehet si mangësi në trajtimin tërësor të këtij objektivi është mungesa e masave konkrete të parashikuara për arritjen e të gjithë qëllimeve të synuara dhe mungesa e indikatorëve që do t’a bënte të matshëm progresin e bërë në lidhje me vetë Objektivin. Këto mungesa do të trajtohen në vijim, por duhet theksuar që paplotësia e tyre ndikon në realizimin faktik të tij.

Konkluzion:Objektivi Specifik1.3 është në përputhje me Qëllimin e Politikës 1.Ai është gjithashtu në të njëjtën linjë vijimësie edhe me Objektivin Strategjik 1 të SND I. Objektivi përputhet edhe me objektivat e reformës në drejtësi, një nga qëllimet e  së cilës  ka qenë ushtrimi i kompetencave nga institucionet e drejtësisë, në pavarësi të plotë (nga pushtetet e tjera), në mënyre eficiente dhe në përputhje me standardet profesionale (që nënkupton emërimet, ngritje në detyrë dhe transferimet bazuar në parime të meritokracisë dhe transparencës), si dhe kryerja e verifikimeve/hetimeve përkatëse, procedimeve disiplinore dhe inspektimeve bazuar në një kuadër ligjor të qartë, transparent dhe llogaridhënës. Ajo që mund të rishikohet në këtë objektiv është gjuha, e cila në funksion të qartësimit të saj, siç u sugjerua më sipër,  do të mundësonte një kuptim më të saktë për drejtimet e këtij objektivi dhe do të krijonte koherencë më të madhe me masat dhe rezultatet e pritshme të cilat do të analizohen më poshtë. Nga ana tjetër, për realizimin në praktikë të tij do të ishte e nevojshme plotësimi me masa shtesë, të cilat do të mundësonin aplikimin në praktikë të tij. Gjithashtu për matjen e progresit në arritjen e këtij objektivi, do të ishte e nevojshme që SND II të shtonte indikatorët që do të masnin cdo rezultat të shprehur në këtë Objektiv  (shih analizën ne vijim)